Rushiti: Ende nuk dihet zyrtarisht sa është numri i viktimave të dhunës seksuale

02/10/2017

Në Kosovë ende nuk ka numër të saktë për viktimat e dhunës seksuale të luftës  dhe se kjo mund të qartësohet shpejt pasi të fillojë punën Komisioni  qeveritar që do të bëjë verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka thënë në emisionin “Përballje” me gazetar Muhamet Hajrullahu se viktimat e dhunës në Kosovë kanë qenë të stigmtizuara, të paragjykuara e etj.

Sipas saj, viktima të dhunës seksuale në Kosovë, kanë qenë edhe gratë dhe burrat, ku është përmendur edhe numri 20 mijë viktima të dhunës seksuale në Kosovë.

“Kjo shifër tash nuk mund të thuhet që është sepse disa viktima kanë vdekur… Një pjesë tjetër nuk dëshiron më të flasë apo të deklarohet për këtë sepse ka kaluar një kohë e gjatë që nga paslufta, ndërsa një pjesë nuk dëshiron fare të lajmërohet e ka edhe jashtë shtetit”, ka thënë Rushiti në emisionin “Përballje” të transmetuar në RTV Dukagjini e Telegrafi.com

Sipas Rushitit, shoqëria e rrethi ka pasur shumë paragjykime për këto raste dhe kjo ka ndikuar te këto viktima.

Por ka edhe raste të cilat kanë marrë guximin të flasin edhe të paraqesin dhunën që e kanë përjetuar.

“Kemi një rast të një gruaje nga njëra komunë që pasi i ka martuar fëmijët edhe i ka vdekur burri, e cila pasi kishte pirë seditiv (barna) dhe ka ardhur dhe ka thënë se është e gatshme të paraqesë rastin sepse ka shumë stigma edhe paragjykime sa ka qenë më e re e tash është më e vjetër sepse pasojat janë më të mëdha”, ka thënë Rushiti.

Sipas saj në mesin e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë ka edhe burra.

“Ka edhe burra edhe fatkeqësisht dimensioni i traumës edhe si tabu është më e theksuar. Ne kemi një numër të tyre që janë në rehabilitim dhe disa kanë shprehur gatishmëri me qenë pjesë e dëshmisë për investigim për krime lufte”, ka deklaruar Rushiti.

Emisioni “Përballje” gjatë kohës së zgjedhjeve lokale do të transmetohet të dielën në ora 19:10 në RTV Dukagjini. Ky emision është prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu.  /Telegrafi/

mehmet-musaj