Ndahet buxheti për procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

22/09/2017

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2017, ndërsa me këtë ndau 200 mijë euro për procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në njoftimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT thuhet se pas një kohe të gjatë dhe përpjekjeve të shumta, sidomos nga akterë të shoqërisë civile, viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, do t’iu njihet e  drejta e kompensimit për vuajtjet si viktima civile gjatë luftës në Kosovë.

“Stafi i QKRMT-së, i angazhuar gati dy dekada në ofrimin e shërbimeve për të mbijetuarit e dhunës seksuale, veçanërisht në avokimin për realizimin e të drejtave të tyre të garantuara me ligj, ka mirëpritur Vendimin e Qeverisë  së Republikës së Kosovës për ndarjen e buxhetit për procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, i paraparë me Ligj që nga viti 2014”, thuhet në njoftim.

Buxheti i ndarë për këtë qëllim përfshinë shpenzimet për punën e Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, organizatat joqeveritare që do të punojnë me Komisionin Qeveritar si dhe shpenzimet e tjera në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Në emër të të mbijetuarve të dhunës seksuale, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës falënderon institucionet e vendit për konsideratën dhe përkushtimin e tyre që kanë treguar për të përkrahur viktimat e dhunës seksuale – trajtimin me dinjitet të tyre, duke ua njohur vuajtjet dhe sakrificat si viktima civile gjatë luftës së fundit në Kosovë. QKRMT, uron që sa më shpejt vendimi i sotëm i Qeverisë të pasojë me veprime të tjera drejt realizimit të kompensimit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë një e drejtë kjo e garantuar me Ligj”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

mehmet-musaj