March 23 2020 0Comment

Ballafaqimi me ankthin dhe mirëqenia emocionale nën COVID-19

23.03.2020

nga: Selvi Izeti Çarkaxhiu – Psikologe, QKRMT

Ndërsa pandemia e koronavirusit Covid-19 përhapet në të gjithë globin, shumë e thonë që “armiku ynë më i madh është paniku”.

Nuk janë vetëm individë, por janë shoqëri të tëra që sot ballafaqohen me ndjenjën e ankthit dhe panikut, ndjenja këto që kanë për burim frikën. E mos të harrojmë që funksioni kryesor evolucionar i frikës është të na ndihmojë  të mbijetojmë. Në fakt, frika është mekanizmi më i vjetër i mbijetesës. Frika na ndihmon të mësojmë të shmangim situatat e rrezikshme në të ardhmen dhe shpesh vjen nga pasiguria. Duke u ndjerë të pasigurt, ne ndjehemi në ankth, që manifestohet me ndjenjë shqetësimi dhe nervozizmi. Ankthi lind kur truri ynë nuk ka informacion të mjaftueshëm për të parashikuar se çfarë mund të ndohdhë në ditët në vijim. Pa informacion të saktë, është e lehtë për trurin tonë të krijojë histori frike.

Përveç që ushqehet nga pasiguria, ankthi është gjithashtu ngjitës. Në psikologji, përhapja e emocionit nga një person tek tjetri quhet infeksion shoqëror. E për një shoqëri siç është shoqëria kosovare e dalë nga lufta, ku shumë njërëz janë prekur nga truma, e veçanarisht të mbijetuarit e dhunës seksuale, që për shkak të traumës të shtypura ndër vite, trauma e tyre është e pa përpunuar, dhe me ankthin e krijuar shumë lehtë nxitet trauma, duke pasur rikujtime të ngjarjeve traumtike, flashback-e, ankth, panik – simptome këto që kanë filluar t’i raportojnë të mbijetuarit gjatë kontaktit që kemi me ta.

Prandaj, është e nevojshme që të jemi shumë të kujdesshëm në mënyrën se si transmetojmë informacionin, japim lajmin, krijojmë ankthe e panik nga përplasjet pozitë-opozitë, ato ndër- institucionale si dhe interpretimet shpeshherë kundërthënse gjithandej nëpër media, portale dhe rrjete sociale. Për hir të kategorive të ndjeshme, për hir të Njerëzores, duhet të jemi të gjithë më të kujdesshëm në këtë drejtim.

Ankthi mund të shuhet ose nxitet varësisht nga informacionet që marrim ose bisedat që zhvillojmë me të tjerët. Fjalët si: e frikshme janë si teshtima që zbret drejtpërdrejt në trurin tonë, duke infektuar gjendjen tonë emocionale dhe mendore dhe duke e dërguar atë jashtë kontrollit, sepse kur nuk mund ta kontrollojmë ankthin tonë ajo ethe emocionale ngjitet në panik. Paniku njihet si frikë e papritur e pakontrollueshme dhe shpesh duke shkaktuar sjellje fare të papërshtatshme.” Të mbingarkuarë  nga pasiguria dhe frika për të ardhmen, ne kalojmë në gjendje mbijetese ku aktivizohet gjendja: Lufto, ik ose ngrij (fight-flight-freeze).

Për të këputur trurin tonë dhe për të thyer ciklin e ankthit, duhet të ndërgjegjësohemi për dy gjëra: që po shqetësohemi ose panikojmë dhe cili është rezultati. Kjo na ndihmon të shohim nëse sjellja jonë në të vërtetë po na ndihmon të mbijetojmë, apo sjellja jonë mund të çojë në sjellje impulsive që janë të rrezikshme dhe me shumë pasoja shëndetësore afatgjata.

Është njerëzore që të ndjehemi të shqetësuar dhe të posedojmë një dozë ankthi, por në të njëjtën kohë, ka shumë arsye për të mos krijuar panik.

Si të përballemi me panikun:

  1. Qëndroni larg nga mediat sociale dhe lajmet e vazhdueshme negative. Përqëndrimi në histori tmerri nxit ankthin dhe frikën. “Mbani veten të informuar – me faktet mbi virusin nga burime të besueshme si Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Oranizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetë sisë Publike.
  2. Njihu me faktet. OBSH e ka shpallur COVID-19 si një pandemi, por kjo nuk do të thotë që ju duhet të sulmoheni. Një pandemi nuk përshkruan vdekshmërinë e një sëmundjeje, por përmasat gjeografike të përhapjes. Deri tani, 80% e njerëzve të infektuar shfaqin simptoma të buta, të ftohjes dhe të ngjashme me gripin. Gjithashtu, sipas CDC, COVID-19 mendohet të jetë një sëmundje pikash, që do të thotë se përhapet nga personi në person përmes pikave të frymëmarrjes, kur dikush kollitet ose teshtinë. Masat paraprake konstruktive për t’u marrë janë të qëndroni larg turmave, dezinfektoni sipërfaqet dhe lani duart sa më shpesh.
  3. Krijoni një rutinë të re. Nëse jeni të mbyllur në shtëpi me fëmijët, përshtatuni rrethanave. Krijoni ambient, ku ju edhe fëmijët kënaqeni me kohën që kaloni bashkë.
  4. Të jetosh vetëm? Telefono një shoqe/shok. Për fat të mirë, ne jetojmë në një epokë të teknologjisë që na lejon të lidhemi me miqtë, edhe pse jemi të vet-izoluar në shtë pi. Qoftë në telefon apo përmes Skype, biseda me njerëzit është vërtetuar se zvogëlon depresionin dhe ndjenjat e ankthit. (Por përpiquni të mos flisni gjithçka për koronavirusin!)
  5. Nëse keni një histori ankthi, mund t’ju duhet ndihmë shtesë, rekomandohet të bisedoni me një profesionist që ofron shërbime online, i cili mund t’ju ndihmojë që të ballafaqoheni me frikën dhe ankthin.

            “Jini të arsyeshëm dhe tregohuni të kujdesshëm, por pa panik.”

Sinqerisht, QKRMT

_________________________________________________________

Ky shkrim është i bazuar në referencat e mëposhtme. Ju lutem shpërndajeni sa më shumë.

  • Bierut, Jamie. Under the Rainbow Moon Hope and Healing for Lyme. Tate Publishing & Enterprises, 2012
  • Be Aware, But Don’t Panic: How To Deal With Coronavirus Fears:

https://www.henryford.com/blog/2020/03/how-to-deal-with-coronavirus-fears

  • Centre for Disease Control and Prevention (CDC). How to Protect Yourself:

https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/prepare/prevention.html

  • Judson A. Brewer. Unwind Your Anxiety:

https://www.unwindinganxiety.com/

admin