May 26 2020 0Comment

Çfarë po ndodh me Benin në kohë të pandemisë?

26.05.2020

Nga: Luljeta Berisha Gollopeni – Psikologe, QKRMT

Një ilustrim i shkurtër mbi ndikimin e traumave të pashëruara në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve.

Çfarë po ndodh me Benin në kohë të pandemisë?

Në një qoshe të dhomës dëgjohet edhe një zemër e vogël, rrahjet e të cilave sa shkojnë e përshpejtohen. Kjo zemër e vogël është e Benit. Beni është i ulur në tokë dhe i mbështetur fort tek këmba e tavolinës së bukës. Është pothuajse i tëri vesh dhe i pa gojë. Edhe ashtu, gojën i kanë thënë është mirë ta përdor më shumë për të ngrënë e më pak për pyetje dhe komente. Syçkat e tij të mëdha ngjyrë kafe janë bërë si të ishin të zinj. Bebëzat e syrit kanë zënë hapësirën e retinës dhe bëjnë lëvizje të tipit ping-pong duke i përcjellë zërat që vinin herë nga njëri burim i fjalëve e herë nga tjetri. Në pasiguri se çfarë është duke ndodhur dhe çfarë është duke u thënë, Beni më shumë vëzhgon shprehjet e fytyrave sesa që arrin t’i kapë fjalët. Ai i kapi disa segmente: “S’kemi ushqim sa duhet…. S’ka kush të sjellë në shtëpi derisa s’ka punë… A kemi mjaftueshëm për ilaçe?…. A mund ta përballojmë…? Nëse na prekë ky virus si do t’ia dalim… A dëgjuat?! Kish vdekur ajo gruaja nga Virusi dhe i kish lanë dy fëmijë jetimë!”

Beni është vetëm 6 vjeç. Aftësia e tij për të kuptuar është e mjaftueshme për t’u bërë i vetëdijshëm që jeta e tij dhe e familjes së tij po kërcënohet në shumë aspekte, por Beni nuk është ende mjaftueshëm i rritur për të kuptuar se në çfarë mënyre saktë! Edhe më pak është Beni i fuqishëm për të ndryshuar apo ndihmuar diçka në këtë drejtim.

Çfarë ndodhë me Benin tani që është në një situatë të tillë amullie? Në mungesë të informacionit të qartë se çfarë është duke ndodhur, me segmente të pjesshme që ka kapur nga bisedat e anëtarëve të familjes, pamje tmerruese të spitaleve gjatë lajmeve të vazhdueshme mbi situatën COVID-19, Benit fillon t’i veprojë imagjinata: “Do të sëmuremi të gjithë dhe do të vdesim! Çfarëdo që bëjmë nuk ndihmon, do të na gjejë dhe do të na kapë! Dhe ndoshta nuk do të kemi as për të ngrënë sepse babi nuk punon…? Beni do të vrapoj tek e ëma për t’ia parë sytë dhe të lexoj se çfarë ka aty, sepse po të bëjë pyetje, me siguri që nuk do të gjejë përgjigje meqenëse mamaja e tij nuk dëshiron ta shqetësojë atë.

Ai nuk e kujton nga apo përse, por këto ndjenja frike dhe pasigurie janë të njohura për Benin. Ai i ‘kujton’ ato që nga koha e mëhershme. Ngjarjet i kishte harruar… Kujtimet vijnë nga koha kur Beni së bashku me babanë, të ëmën dhe motrën e tij dy vjet më parë kaluan nëpër mizori në shtetin e përmbysur nga konfliktet e armatosura. Truri i tij ende i papjekur, por i kapluar nga stuhia e ngjarjeve dhe emocioneve të vrullshme, ka ‘shtypur’ kujtimet për ta mbrojtur Benin nga ajo që ai nuk mund ta përballojë (nga TRAUMA), prandaj, ai nuk mbanë mend shumë nga ngjarjet. Kujtimet pamore janë zhdukur, por ndjenjat kanë ngelur për t’u zgjuar sa herë që rrethanat e tij e diktojnë një shtytje të tillë.

Tani, truri i Benit është sërish i alarmuar që është në rrezik të madh. Ai ka frikën që mban që nga e kaluara e tij trishtuese dhe tani ka edhe këtë të pandemisë që e kërcënon sot atë dhe familjen e tij. Ai mundohet t’i jap kuptim ngjarjeve rreth tij dhe të gjej ngushëllim, por e ka të vështirë sepse të gjithë duken me qenë të preokupuar me atë se çfarë të bëjnë për t’i tejkaluar krizat që po vijnë e po shkojnë, ndërsa disa janë edhe emocionalisht të shkëputur dhe nuk duket që po i kuptojnë mirë nevojat e Benit për të biseduar dhe për t’u sqaruar.

I mbushur ankth, Beni ka vështirësi në bërjen e detyrave të shkollës, rebelohet, qan shpesh pa arsye të dukshme dhe është shumë i agjituar. Beni, në pamundësi të të tjerëve për të kuptuar sjelljen e tij, keqkuptohet si i llastuar dhe merr dënime për veprimet e tij tashmë të pakontrolluara. Tani, shtesë ka edhe frustrimin dhe ndjenjën e të qenurit i pavlerë. Fatkeqësisht, Beni me moshën që ka dhe në mungesë të sqarimeve se çfarë po ndodhë me të dhe gjërat rreth tij, ai do ta fajësojë veten për shumë zhvillime duke mos e kuptuar që nuk është në fuqinë e tij ta ndryshojë situatën, por edhe më e rëndësishme – që ai NUK ËSHTË AI i cili i ka shkaktuar këto ndodhi. NUK ËSHTË FAJI I TIJ! Por, këtë jemi ne të rriturit që duhet t’ia themi Benit dhe të gjithë fëmijëve të tjerë të cilët janë si ai dhe të cilët ndoshta të heshtur luftojnë me veten dhe historitë e dhimbshme nëpër të cilat kalojnë sepse nuk dinë se si të flasin dhe as kujt t’i drejtohen!

­­­­­­­Vit pas viti duke u rritur në këtë frymë dhe duke u thelluar në vështirësi psikologjike dhe emocionale, pa mbështetjen e duhur të familjarëve dhe pa ndihmën profesionale për t’i tejkaluar traumat e shkaktuara nga ngjarjet e papërballueshme për të, Beni mund të rritet duke zhvilluar probleme të ndryshme zhvillimore të cilat do të ndikojnë në cilësinë e jetës së tij si i rritur. Në mesin e të tjerave ato që më së shumti mund ta lëndojnë atë janë pasiguria dhe mungesa e besimit tek njerëzit e tjerë, gjë që cenon raportet e tij me të tjerët, me gjasë, duke e shtyrë vazhdimisht kah vetmia dhe izolimi.

Prandaj, t’i dëgjojmë fëmijët, t’i shikojmë fëmijët dhe të përpiqemi të lexojmë edhe në mesin e gjërave të pathëna dhe të kërkojmë ndihmë që t’i fëmijët t’i rrisim të shëndosh dhe të lumtur, së paku për aq sa na jepet mundësia!

 

 

 

 Përjetimi i ngjarjeve traumatike dhe ndikimi i traumave në zhvillimin e fëmijës

 

Ngjarjet traumatike na përcjellin në përditshmëri. Shumë studime flasin për përvojat traumatike nëpër të cilat kalojnë shumë persona apo grupe individësh dhe pasojat që lënë prapa, veçanërisht tek fëmijët e afektuar. Studimet e bëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregojnë që afër gjysma e popullatës së tyre kanë përjetuar një apo më shumë lloje të traumave dhe fëmijët më të vegjël janë në rrezik më të lartë se fëmijët më të mëdhenj. Madje, fëmijët që përjetojnë dhunë familjare janë diku rreth 60% nën moshën 6 në kohën e ekspozimit. Mirëpo, traumatike, veçanërisht për fëmijët mund të jetë edhe humbja e prindit, grindjet e shpeshta në mes të prindërve, abuzimet fizike dhe emocionale të fëmijës, pasiguria mbi ekzistencën, etj.

Traumat shfaqen në fëmijëri të hershme atëherë kur fëmija e përjeton një ngjarje e cila mund të shkaktojë dëme apo kërcenim serioz në mirëqenien fizike dhe emocionale të fëmijës. Këto ngjarje mund të janë të natyrave të ndryshme, por ajo çfarë i dallon nga stresorët e zakonshëm jetësorë është që këto ngjarje shkaktojnë ndjenjë të frikës intensive, terrori dhe pafuqishmërie që është jashtë kufijve normalë të përjetimit të zakonshëm.

Tashmë është bërë e ditur që traumat bëjnë ndikim të madh në zhvillimin e hershëm të trurit, zhvillimin mendor, të mësuarit, si dhe zhvillimin social dhe emocional, aftësinë për të ndërtuar atashim apo lidhje emocionale të sigurta më të tjerët, si dhe në shëndetin fizik. Prandaj, identifikimi i hershëm i shenjave dhe simptomave të para të traumatizimit tek fëmijët është shumë i rëndësishëm. Një identifikim i hershëm mundëson qasjen ndaj shërbimeve psikosociale në faza kritike pas ekspozimit ndaj traumave dhe parandalimin e zhvillimit të pasojave afatgjata në shumë sfera të jetës së fëmijës.

Sidoqoftë, reagimet e çdo fëmijë ndaj traumave janë të ndryshme duke u bazuar në natyrën e traumës, karakteristikat e fëmijës dhe familjes dhe balanci në mes të faktorëve rrezikues dhe mbrojtës brenda jetës së fëmijës. Edhepse shumë nga fëmijët pësojnë stres të nivelit të lartë pas ekspozimit ndaj ngjarjes traumatike, shumica prej tyre i kthehen funksionimit të zakonshëm pas një kohe të caktuar. Megjithatë, kanë nevojë për mbështetje, fillimisht prindërore dhe pastaj edhe të përkujdesësve të tjerë. Mirëpo, për të qenë në gjendje t’i ofrojmë mbështetjen e duhur fëmijëve që kanë pësuar trauma, duhet të jemi në gjendje t’i dallojmë shenjat e para të traumave dhe simptomat tipike që shfaqen pas ngjarjes traumatike. Në raste të caktuara, mund të ketë nevojë edhe për kyçjen e stafit shëndetësor siç është psikologu për të punuar më fëmijët e afektuar rëndë nga përjetimi i ngjarjes traumatike.

Shenjat e Traumave dhe Simptomat

Shenjat dhe simptomat e traumës tek fëmijët e vegjël mund të marrin shumë forma. Disa prej tyre janë të listuara më poshtë, megjithatë, duhet të kemi parasysh që ato gjithnjë duhet të konsiderohen brenda kontekstit të historisë së fëmijës, sistemit të përkujdesjes, mbështetjes, etj., por edhe duke e pasur gjithnjë në mendje që këto simptome mund të mos ndërlidhen patjetër me traumat e përjetuara. Prandaj, është e domosdoshme që në raste ku dyshohet që traumat e përjetuara nga fëmija janë duke ushtruar ndikim sinjifikant tek fëmija, të bëhet një vlerësim i mirëfilltë i gjendjes psikologjike dhe emocionale të tij.

Tabela 1. Shenjat dhe Simptomat

Simptomat më të zakonshme sipas moshës:
Fëmijët e vegjël (0 – 3 vjeq) Fëmijët e moshës (3 – 6 vjeq)
  • Çrregullimet në të ngrënë
  • Çrregullimet me gjumin
  • Ankesat fizike
  • Ankthi i ndarjes / fëmijë që i ‘ngjitet’ dikujt
  • Ndjehet pafuqishëm  / pasiv
  • Irritabil/ i vështirë për ta ngushëlluar
  • Ndjehet i pafuqishëm / pasiv
  • Irritabil /i vështirë për t’u ngushëlluar
  • Lojë, eksplorim dhe disponim i kufizuar
  • Lojë e përsëritur post-traumatike
  • Regresion i zhvillimit (fëmija duket që po ecën mbrapa me zhvillim)
  • Frikë e përgjithësuar /Frika të reja
  • Lehtësisht preket
  • Vonesë në zhvillim të të folurit
  • Sjellje agresive
  • Sjellje e seksualizuar
  • Flet mbi ngjarjen traumatike dhe reagon ndaj përkujtuesve të traumës
 

  • Shmangës, anksioz, fëmijë që i ‘ngjitet’ dikujt
  • Frikë e përgjithshme / frika të reja
  • Pafuqishmëri, pasivitet, frustrim i zvogëluar (apati)
  • I shqetësuar (nuk zë vend), impulsiv, hiperaktiv
  • Simptomet fizike (kokëdhimbje, etj.)
  • Vështirësi në identifikimin se çfarë i mundon
  • Shpërqendrim, vështirësi në zgjidhje të problemeve
  • Ëndërrim me sy çelë apo disocim
  • Irritabilitet
  • Sjellje agresive
  • Sjellje e seksualizuar
  • Humbja e arritjeve të fundit në zhvillim
  • Lojë përsëritëse / lojë post-traumatike
  • Flet mbi ngjarjen traumatike dhe reagim ndaj përkujtuesve / nxitësve
  • Pikëllim /depresion
  • Marrëdhëniet e dobëta dhe problemet sociale (kontrollues / tej lëshues)

Traumat komplekse, në veçanti, mund të ndikojnë në të gjitha sferat e zhvillimit dhe funksionimit të fëmijës. Tabela më poshtë tregon të gjitha sferat e zhvillimit dhe shenjat e ngecjes apo pengesave të mundshme në zhvillim. Sërish, është esenciale të konsiderohen mosha dhe stadi zhvillimor i fëmijës, detyrat specifike zhvillimore, si dhe konteksti i përkujdesjes.

Sfera e zhvillimit Shenjat e ngecjes apo pengesave në zhvillim
Lidhja emocionale (atashimi) ·         Vështirësi për t’u besuar të tjerëve

·         Të pasigurt lidhur me qëndrueshmërinë e të tjerëve

·         Vështirësitë ndërpersonale (me të tjerët)

·         Izolimi shoqëror

·         Vështirësi në kërkimin e ndihmës

·         Bëhet ngjitës, vështirësi me ndarje nga të tjerët

Fizike ·         Problemet zhvillimore sensori-motorike

·         Hipersensitivitet (tej ndjeshmëri) ndaj kontaktit fizik

·         Somatizimi

·         Vështirësi shëndetësore të shpeshta

·         Vështirësi me koordinim dhe ekuilibër

Rregullimi i ndjenjave dhe emocioneve
  • Probleme me rregullimin emocional
  • Lehtësisht i shqetësuar dhe/ ose vështirë për ta qetësuar
  • Vështirësi në përshkrimin e emocioneve dhe përvojave të brendshme
  • Vështirësi në të dalluar dhe në të përshkruar të gjendjeve të brendshme
  • Probleme me komunikimin e nevojave

 

Kontrolli i sjelljes
  • Kontrolli i dobët i impulseve
  • Sjellje vet-destruktive
  • Sjellje agresive
  • Sjellje kundërshtuese
  • Pajtueshmëri e tepruar
  • Pengesa me gjumin
  • Çrregullime në të ngrënë
  • Riaktivizimi i ngjarjes traumatike / të së kaluarës
  • Praktika patologjike të vet-qetësimit

 

Kognicioni
  • Vështirësi në mbajtjen e vëmendjes
  • Mungesë të kureshtjes së kontrolluar
  • Probleme me procesimin e informacioneve
  • Probleme me fokusimin në / apo përmbushjen e detyrave
  • Vështirësi me planifikimin dhe parashikimin e pasojave
  • Vështirësitë në të mësuar, vonesa në zhvillim
  • Probleme në zhvillim të të folurit/ gjuhësore

 

Vet-koncepti
  • Mungesë e ndjesisë së vetes së parashikueshme
  • Ndjesi e dobët e ndarjes
  • Shqetësime rreth imazhit të trupit
  • Vet-besim i ulët
  • Ndjenja të turpit dhe të fajit

 

Njohja e hershme e këtyre shenjave dhe simptomave së bashku me konsultime shëndetësore mendore mundësojnë të bëhen intervenime efektive për reduktimin dhe rregullimin e këtyre simptomave. Disa fëmijë madje kanë nevojë edhe për intervenime psikoterapeutike përmes terapive të fokusuara në traumë, që janë të dizajnuara si pjesë e punës klinike më fëmijët dhe familjarët e tyre.

_____________________________________________________________

Luljeta Berisha Gollopeni

Kandidate e PhD, Psikologji Zhvillimore

KRCT – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës

Burimet e tekstit:

https://www.ddcf.org/globalassets/17-0428-helping-young-children-who-have-experienced-trauma.pdf

https://www.ecmhc.org/tutorials/trauma/mod3_1.html

 Burimet e fotove:

https://www.google.com/search?q=copyfree+images+child+psychological+trauma&tbm=isch&ved=2ahUKEwi-zNf7x8DpAhUV8xoKHQSgAzMQ2-cCegQIABAA&oq=copyfree+images+child+psychological+trauma&gs_lcp=CgNpbWcQAzoCCClQg5oIWJLsCGCW7ghoCHAAeACAAdMBiAGMJ5IBBjAuMzIuMZgBAKABAaoBC2d3cy13aXotaW1n&sclient=img&ei=LCbEXr6GBJXma4TAjpgD&bih=736&biw=1536#imgrc=vyra7sJu5aNDCM

admin