April 30 2020 0Comment

COVID-19: Psikoterapia në kohën e izolimit

30.04.2020

nga: Selvi Izeti Çarkaxhiu – Psikologe, QKRMT

Me paraqitjen e Covid-19, jeta për të gjithë ne ka ndryshuar. Përballja me një virus që po  udhëton në mbarë boten si me shpejtësinë e dritës ka bërë që shumë qytete dhe vende të tëra të mbyllen e të izolohen.

Izolimi dhe distancimi shoqëror për shumë njerëz është bërë një burim frike dhe ankthi. Frika për një sëmundje kërcënuese për jetë mund të jetë dërrmuese dhe të çojë në emocione të forta dhe jo të shëndetshme. Nëse virusi nuk na ka prekur tashmë personalisht, shqetësohemi për sigurinë tonë dhe për të dashurit tanë, dhe kjo na bënë të ndihemi tëkërcënuar. Për disa njerëz këto kërcënime mund të ndjehen të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme —  dhe si rrjedhojë përjetohen si ngjarje traumatike.

Ngushëllimi i vetëm në gjithë këtë situatë është se “të gjithë jemi në tënjëjtën anije” e megjithatë, mënyra se si e përjetojmë këtë gjendje dallon për secilin prej nesh. Më rëndë po përjetohet nga njerëzit me përvoja traumatike të mëhershme. Kanë kaluar 20 vite nga përfundimi i luftës, por, për shumë njerëz traumat nga tmerret e luftës kanë ngelur të regjistruara në trurin e tyre. Edhepse ngjarja traumatike ka kaluar, nxitësit e traumës janë ende aty. Janë  kujtimet e ruajtura në trup dhe reagimet emocionale të programuara në sistemin nervor. Nën ndjenjën e pasigurisë dhe kërcënimit trauma kanë filluar të nxiten përsëri për tu ndjerë sikur rreziku është kthyer!

Në punën time si psikologe dhe psikoterapiste e traumës,  edhe  në gjendje të izolimit çdo ditë dëgjoj histori dhe mbështes të mbijetuarit e traumave, kryesisht të mbijetuar të dhunë seksuale ku si pasojë e gjendjes së krijuar nga  Covid-19, për shumë të mbijetuar, trauma e tyre është rikthyer, madje edhe tek ata që mendoja se ishin “shkëputur nga fantazmat e së kaluarës.”

Nxitja e traumave ndodhë kur gjërat që na rrethojnë duken, tingëllojnë, nuhaten ose ndjehen si gjëra të përjetuara në kohën e ngjarjeve traumatike, si p.sh.:

  • Me rastin e shpërthimit të pandemisë, ndjenja e izolimit dhe të qenit të shkëputur nga familjarët dhe nga kontakti shoqëror,për shumë të mbijetuar ka nxitur ndjenjën e vetmisë dhe të pasigurisë që e posedonin edhe gjatë luftës.
  • Lajmet e vazhdueshme për kaq numër të infektuar e kaq humbje jete, dhe përplasjet politike kane nxitur ndjenjën e ankthitdhe frikës, sikurse gjatë luftës kur vazhdimisht informoheshin për kaq të vrare e kaq të zhdukur, dukë bërë që të ndjehen të kërcënuar për jetë,dhe duke rikthyer kujtimet traumatike, pagjumësinë, tmerret e natës dhe mendimet negative.
  • Përballja me pasigurinë ekonomike ka nxitur frikën njësoj sikurse kur përballeshin me mungesën e ushqimit gjatë luftës.
  • Pyetjet se si dhe kur kjo gjendje do të ndryshojë, të mbijetuarve ju kujton atë ndjenjë krejt të njohur gjatë luftës për të mos qenë në gjendje të vizualizojnë një të ardhme pozitive për veten.

Pra, për të mbijetuarit e traumës pandemia dhe izolimi kanë sjellë më shumë sesa vetëm shqetësim, duke kërcënuar nevojën e tyre themelore për t’u takuar me të afërmit, miqtë dhe për tu ndjerë të mbështetur.

Përballë kësaj gjendje, sfidohemi edhe ne në punën tonë si psikolog dhe psikoterapist, në kufizimet për të ofruar shërbimet psikologjike online. Si terapist ne jemi trajnuar të  bashkëveprojmë në punën tonë me të mbijetuar, dhe përderisa unë dëgjoj të qajë të mbijetuarin gjatë rrëfimit të përjetimeve të tij, nuk mund t’i ofroj një gote ujë, një faculetë apo prezencën time fizike për t’i dhënë ndjenjën që është i sigurtdhe që është “këtu dhe tani”. Megjithatë, gjendjet e pazakonta kërkojnë edhe zgjidhje të pazakonta duke na bërë edhe neve kreativ dhe fleksibil për t’iu përshtatur neojave të psikoterapisë online. Secili klient është i ndryshëm, dhe si në seancat ballë për ballë klientit, është e rëndësishme të përshtaten seancat në nevojat, kapacitetin dhe rrethanat e klientit, qoftë përmes seancave online apo këshillimit në të shkruar përshkak të mungesës së privatësisë nga ana e klientëve. Ne po përpiqemi ta bëjmë këtë ashtu si është më së miri, dhe kjo po që është mirëpritur dhe vlerësuar shumë nga të mbijetuarit e traumës.

E rëndësishme është që shumë të mbijetuarve të traumës, tani më shumë se kurrë, është e nevojshme t’iu krijohet hapësirë për të shprehur mendimet e tyre, emocionet, reflektuar mbi to, dhe të udhëhiqen drejt shërimit të së kaluarës duke mos lejuar që fantazmat e së kaluarës t’i sundojnë, dhe kjo mundësi po ofrohetdhe do vazhdon të ofrohet nga ne në çdo hap të këtij rrugëtimi!

admin