June 04 2020 0Comment

Covid-19: Sfidat e përshtatjes pas izolimit në “normalitet të ri”

04.06.2020

Nga: Selvi Izeti Çarkaxhiu – Psikologe, KRCT

Covid-19: Sfidat e përshtatjes pas izolimit në “normalitet të ri”

Pas ngrirjes së madhe fillon edhe shkrirja e ngadaltë. Kemi kaluar plotë 81 ditë nga data 12 mars që kur vendi ynë hyri nën izolim, mbyllje dhe distancim shoqëror për shkak të Covid-19. Gjatë kësaj periudhe Koronavirusi ka dëshmuar të jetë një kërcënim vdekjeprurës i padukshëm, jo vetëm për shëndetin e njerëzve, por edhe de-stabilitetin e sistemit politik dhe ekonomik të vendit. Tani, ndërsa vendet e ndryshme ne gjithë botën po tërheqin kufizimet në lëvizje me ritme dhe shkallë të ndryshme, edhe vendi ynë ka lehtësuar masat e izolimit, duke provuar t’i rikthehet  normalitetit, ndonëse gjurmët e pasojave janë evidente në çdo sferë, veçanërisht në shëndetin mendor të njerëzve me histori ankthi, çrregullim obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe sëmundje të tjera të shëndetit mendor përpara shfaqjes së COVID-19. Pa dyshim, edhe vet distancimi shoqëror dhe izolimi kanë ndikuar shumë në mirëqenien emocionale të qytetarëve.

Në muajt që lemë pas, përqendrimi ka qenë në pasojat e krizës së koronavirusit, si dhe praktikat e përshtatjes ndaj kësaj situate, tani kthimi në “normalitet “kërkon përshtatje të re. Ajo që pa dyshim është e sigurt është se përshtatja ndaj ndryshimit mund të jetë mjaftë sfiduese, qoftë edhe  nëse është e planifikuar dhe graduale.

Duke marrë parasysh që virusi është ende mes nesh, edhe pse po ndërmerren masa lehtësuese, po provojmë t’i rikthehemi normalitetit, punës, por mënyra se si jetojmë  tashmë është më ndryshe: Do na duhet të heqim dorë nga normalja jonë e vjetër dhe tani do të vendosemi në atë që duket se është “normalja jonë e re”.

Maskat dhe dorëzat janë bërë pjese e zakonshme e përditshmërisë dhe përdorimi i tyre është ende i domosdoshëm për ne.

Të presësh në radhë tashmë është një normë shoqërore, qoftë kur jemi në transport publik, kur presim në dyqan për blerje, në vizita shëndetësore dhe kudo tjetër.

Dashtë ose pa dashtë do të jemi vigjilent kur dëgjojmë dikë duke u kollitur ose teshtirë. Jemi kushtëzuar që këto muajt e fundit të jemi hipervigjilentë për këto simptoma, por shpresojmë se kjo mund të nënkuptojë që rregullat themelore të higjienës të mësuara gjatë kohës së shpërthimit të koronavirusit dhe izolimit nuk duhet të harrohen dhe të hidhen jashtë praktikës.

Në ndërkohë edhe përshëndetjet sociale kanë ndryshuar: Kanë kaluar ditët e përshëndetjes së miqve dhe të afërmeve me shtrëngime duarsh, përqafime dhe puthje në faqe. Gjeste miqësore si këto tani shmangen si masë parandaluese, për t’u zëvendësuar me goditje bërrylash dhe goditje këmbësh, ose përshëndetje me dorë në zemër.

Mënyra se si punojmë apo edukohemi ka ndryshuar gjithashtu. Shkollat dhe universitetet gjejnë zbatim përmes interneti duke u bërë një sfidë shumë e madhe edhe për nxënësit dhe prindërit, studentët dhe  mësimdhënësit gjithashtu. Edhe konferencat, punëtoritë e bashkëpunimet ndërkombëtare, tani duken shumë ndryshe nga vitet e kaluara.

Puna gjithashtu ka ndryshuar për shkak të distancës sociale. Takimet në Zoom dhe puna online madje u bënë shpejt normalja jonë. Ndërsa tani me lehtësimin e kufizimeve, ne mund të punojmë në zyrë me ndërrime, dhe me kujdes shumë të shtuar duke i respektuar të gjitha masat nga Instituti kombëtar i shëndetësisë publike dhe Ministria e Shëndetësisë.

Përderisa disa njerëz mund të përshtaten shpejt, për disa të tjerë, kthimi në këtë normalitet të ri mund të përcillet me shumë ndjenja të përziera, dhe mund të ndikoj në mirëqenien emocionale. Shumë njerëz rikthimin në punë mund ta përjetojnë me shumë ankth, dukë marrë parasysh frikën e infektimit nga Covid-19, dhe frikën e rrezikimit të familjarëve .

Shenjat që dikush mund të jetë duke u përballe me ankthin në kthimin e tyre në vendin e punës,  mund të përfshijnë :

  • ndryshime në performancën dhe produktivitetin
  • mos përfundimi i detyrave me kohë
  • shqetësim dhe zemërim
  • shpërthime verbale ose kundërshtuese
  • vështirësi në përqendrim
  • vështirësi në marrjen e vendimeve
  • vështirësi për t’u rikthyer në rutinë dhe për të ecur përpara,

Mos harroni qe të gjithë ne po jetojmë në një situatë që nuk ka ndodhur kurrë më parë, kjo po ndikon në secilin nga ne në mënyrë unike. Nëse e keni të vështirë të përshtateni me normalitetin tuaj të ri, nuk është kurrë shumë herët ose tepër vonë për të kërkuar ndihmë profesionale. Edhe në këtë periudhë te pas-izolimit ne vazhdojmë të qëndrojmë së bashku, dhe bashkë ia dalim!

 

 

admin