December 31 2020 0Comment

Feride Rushiti nderohet me çmimin “Excellence Leadership Award”

Njohja e punës sime, njohje e vuajtjeve të të mbijetuarve

Nga: Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive- QKRMT

Dje, u ndjeva shumë e nderuar kur pranova çmimin “Excellence Leadership Award” të cilin Kolegji për Biznes dhe Teknologji ma ndau si vlerësim për punën time tashmë dy dekadëshe në fushën e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë në avancimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Përtej vlerësimit të kontributit tim personal, këtë çmim e shoh si vlerësim të punës grupore në kuadër të  Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës të cilën e udhëheq nga themelimi në vitin 1999 e perbere nga shumë aktivistë të fushave të ndryshme. Organizat kjo e cila ndër vite ka dëgjuar me qindra rrëfime e plagë të luftës të cilat shoqëria e ka pasur të vështirë t’i pranojë. Pa dyshim që ky cmim, ndërtjerash përbën edhe njohje dhe pranim shoqëror të të mbijeturave të dhunës seksuale.

Lidershipi femëror sa vjen e po fuqizohet, edhe pse me shumë vonesë në kulturën tonë. Bashkë me fuqizimin e lidershipit femëror gratë dhe vajzat përkundër sfidave dhe normave patriarkale, po arrijnë të jenë bartëse të shumë proceseve të rëndësishme duke qenë pjesë esenciale të transformimit shoqëror.

Gjatë këtyre dy dekadave përpjekeje për avancimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës por edhe në fushat tjera, jam nderuar edhe me çmime ndërkombëtare por kur vlerësohesh nga institucionet e vendin tënd për punën dhe angazhimin ndaj këtij grupi fragjil shoqëror natyrisht që çmim paraqet një vlerë të veçantë dhe më shtyn që edhe më tej të jem zë i fuqishëm i shumë zërave të padëgjuar të cilët po arrijmë ngadalë dhe sigurt t’i dëgjojmë në shoqërinë tonë.

Prandaj, përtej vlerësimit personal, ndjehem e frymëzuar nga  rëndësia që i jepet vlerësimit të punës së grave udhëheqëse nga ky institucion edukativ. Uroj që ky çmim t’i inspirojë edhe vajzat e reja që ta kenë guximin dhe të brumosen profesionalisht për të qene lidere të suksesshme në shoqërinë tonë duke i dhënë më shumë shpresë brezave të rinj.

Mesazhi që dua të përcjell tek shoqëria jonë, por veçmas tek brezat e rinj të cilët po përgatiten për të marrë përsipër transformimin shoqëror në nivele dhe fusha të ndryshme, është që puna dhe zëri i grave udhëheqëse janë shtylla tejet të rëndësishme të secilës demokraci moderne e cila vlerëson diversitetin dhe përfshirjen si kushte të domosdoshme të ndërtimit të një shoqërie progresive.

Mirënjohja dhe promovimi i lidershipit femëror është padyshim korrigjim i busullës shoqërore e cila sa kohë që ka injoruar kontributin e gjysmës së popullsisë së vet, gjithsesi që ka qenë e orientuar në drejtim të gabuar.

Institucionet edukative mbajnë peshën e rëndësishme  të përgatitjes së një brezi të ri, i cili domosdoshmërisht do të afrojë shoqërinë tonë drejt synimeve modernizuese për të cilat kemi punuar me dekada si pjesë e shoqërisë civile. Prandaj edhe vlerësimi nga ana e një institucioni edukativo-arsimore, si dhe promovimi i punës dhe përpjekjeve tona për të avancuar tutje në kujtesen kolektive dhe ballafaqimin me të kaluarën, përbën një indikator tejet të rëndësishëm në gjithpërfshirjen shoqërore të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

mehmet-musaj