May 05 2020 0Comment

Këshilla: si të flasim me fëmijët për virusin korona

05.05.2020

nga:  Nazmie Abdullahu Leku- Punonjëse sociale, QKRMT

Gjatë kësaj kohe stresuese nëpër të cilën po kalojmë për shkak të krizës së krijuar nga përhapja e virusit korona, përditshmëria jonë ka ndryshuar. Jemi duke qëndruar mbyllur në shtëpitë tona, larg familjarëve, shoqërisë, vendit të punës, ndryshe nga gjithçka që dikur ishte e zakonshme për ne. Ky ndryshim natyrisht që ka prekur edhe përditshmërinë e fëmijëve tanë. Ata kanë humbur rutinën e tyre, ndjekjen e mësimit në mënyrë të zakonshme, lojën me shokët e shoqet e tyre. Ky ndryshim shumë i shpejtë është faktor stresues për shumë nga ne, prandaj edhe fëmijët, të cilët janë vëzhgues të përhershëm të ngjarjeve përreth tyre mund të jenë ndikuar nga kjo gjendje. Fëmijët gjatë kësaj kohe janë të ekspozuar ndaj informatave që ofrohen në mediet e ndryshme dhe ndaj bisedave të të rriturve rreth situatës aktuale. Ata mund të kenë mendime brengosëse për shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe të kenë pyetje të shumta për të cilat kanë nevojë të gjejnë përgjigje. Në anën tjetër, edhe ne si prindër mund ta kemi të vështirë të gjejmë mënyrën e duhur se si t’i qasemi bisedës me fëmijët dhe si t’i ndihmojmë ata, në mënyrë që të kuptuarit e kësaj situate sfiduese të jetë sa më i kapshëm për moshën e tyre. Për t’ia lehtësuar prindërve sadopak këtë sfidë, ne kemi përmbledhur disa këshilla, me shpresën që ju si prindër mund të gjeni frymëzim për t’ia përshtatur komunikimit me fëmijët tuaj për brengat dhe pyetjet që ata mund të kenë rreth situatës me virusin korona.

Çfarë mund të bëni ju si prind apo kujdestar

Para se të filloni të flisni me fëmijën tuaj për situatën e krijuar për shkak të pandemisë, ju duhet të siguroheni që të jeni i/e qetë. Nëse ju vetë jeni shumë i/e brengosur për situatën, fëmija do ta kuptojë këtë dhe nuk do të mund ta qetësoni fëmijën. Më poshtë kemi listuar disa këshilla rreth komunikimit me fëmijën tuaj gjatë kësaj periudhe.

Vlerësoni nevojën për të biseduar. Fillimisht ju duhet të vlerësoni se sa të nevojshme e ka fëmija juaj të bisedoj rreth situatës së krijuar. Këtë e bëni duke vëzhguar fëmijën dhe duke qenë i/e vëmendshme në pyetjet dhe komentet e fëmijës lidhur me situatën apo duke e pyetur atë se çfarë njohurish ka ai/ajo për virusin korona. Jo çdo fëmijë ndikohet njëlloj nga rrethanat e njëjta, prandaj nëse fëmija juaj nuk shpreh shenja brengosëse dhe vazhdon përditshmërinë pa ndryshime në sjelljen e tij/saj, atëherë një bisedë më e thellë lidhur me situatën nuk është e nevojshme. Ju mund të vazhdoni t’i jepni këshilla rreth higjienës së duarve dhe gjithashtu t’i kërkoni fëmijës tuaj që të vijë tek ju për ndihmë nëse ai/ajo në një moment të mëvonshëm ka nevojë të flasë me ju rreth brengave të tij/saj për situatën aktuale. Megjithatë vëzhgimi dhe vlerësimi nga ana juaj duhet të jetë i vazhdueshëm.

Nëse ju keni vërejtur që fëmija i juaj është duke u brengosur, qoftë duke u shprehur tërthorazi me anë të komenteve të ndryshme, me ndryshime në sjelljen e tij/saj apo edhe duke e shprehur brengën në mënyrë të drejtëpërdrejtë, atëherë ju duhet ta mbështesni atë. Më e mira që ju mund të bëni për fëmijën tuaj në këtë situatë është që ta mbështesni atë duke ia thjeshtësuar informacionin që ka lidhur me faktet dhe pasojat e përhapjes së virusit korona në përshtatshmëri me moshën e tij/saj, si dhe t’i ofroni mundësinë që të pyes sa më shumë dhe t’i ofroni informata të reja që mund t’i ndihmoj të ndihet më mirë.

Dëgjoni me vëmendje shqetësimet e fëmijës. Ju si prind gjatë bisedës me fëmijë duhet të jeni të fokusuar në bisedën me fëmijën tuaj dhe të vëmendshëm në ato që fëmija juaj shpreh. Atij/asaj duhet t’i krijohet një ambient përshtatshëm që e bën atë, të ndjehet i/e dëgjuar dhe që shqetësimet dhe mendimet e tij/saj janë duke u marrë seriozisht nga ju. Nëse ju njëkohësisht jeni duke kryer ndonjë punë tjetër gjatë bisedës, jeni të shpërqëndruar për shembull nga telefoni apo pengoheni nga zhurma e televizorit në sfond, mund të mos krijoni ambientin e rehatshëm që fëmija juaj të shprehet lirshëm dhe pa ndërprerje.

Keni parasysh moshën e fëmijës. Fëmijët e moshave të ndryshme kanë kapacitete mendore të niveleve të ndryshme për të kuptuar situatën në të cilën ata gjenden. Nëse fëmija juaj është i moshës parashkollore atëherë biseda me të duhet të jetë në nivelin që ai/ajo mund ta kuptoj. Për shembull për fëmijët e moshës nën 6 vjet biseda rreth virusit korona duhet të zhvillohet në atë mënyrë që atij/asaj t’i ofrohen vetëm njohuri bazike të thjeshtësuara. Mund t’i thuhet që fjala është për një virus me emrin korona,  i cili shkakton sëmundje të ngjashme me gripin. Për t’u mbrojtur nga ky virus mjeku na ka këshilluar t’i lajmë duart shpesh dhe të qëndrojmë në shtëpi për të mos rënë në kontakt me personat e tjerë që mund ta bartin virusin.

Fëmijët e moshës më të rritur kanë kapacitet më të lartë për t’i kuptuar ato që janë duke ndodhur rreth tyre. Me ta, ju mund të zhvilloni biseda më të thella rreth situatës, mund t’i shpjegoni më detajisht se për çfarë virusi është fjala, për mënyrën e përhapjes së tij dhe mënyrën e parandalimit të përhapjes.

Pavarësisht moshës së fëmijës, ju duhet të siguroheni që të jeni sa më konkret dhe i/e qartë në informacionet dhe këshillat që ndani me fëmijën. Përsërisni informatat dhe këshillat në mënyra të ndryshme, duke ia shpjeguar fëmijës nga këndvështrime të ndryshme, derisa të siguroheni që fëmija e ka kuptuar mesazhin në mënyrën e duhur.

Përdorni faktet dhe informacionet nga mediet. Është pothuajse e pamundur që fëmijët të mbrohen nga informacionet që qarkullojnë në televizion apo rrjete sociale. Nganjëherë prindërit, me qëllim të mirë, mundohen t’i mistifikojnë këto informata duke mos folur me fëmijët rreth tyre. Natyrisht, qëllimi i tyre është që të mos i ngarkojnë ata emocionalisht duke biseduar për tema të rënda dhe të ndjeshme. Kjo në fakt ka efekt të kundërt, sepse në situata të tilla fëmijët kanë tendencë që nga informacionet të cilat i marrin lidhur me një situatë të caktuar të krijojnë në mendjen e tyre histori që mund të mos kenë fare lidhje me realitetin. Kjo krijon pasiguri tek fëmijët. Për t’iu shmangur kësaj, ju duhet ta pyesni fëmijën tuaj rreth informacioneve që kanë për virusin korona dhe situatës së krijuar. Informacionet që ata i posedojnë ju mund t’i zbërtheni në shpjegime të kuptueshmë për nivelin e zhvillimit të fëmijës.

Për shembull ju mund t’i flisni për faktin që virusi korona është një virus i ri për të cilin nuk kemi shumë informacione, por që shkencëtarët janë duke punuar për të zbuluar më shumë rreth tij.

Ju gjithashtu mund t’ia thjeshtësoni statistikat për të cilat ai/ajo mund të ketë informacion. Nëse fëmija ka dëgjuar apo lexuar që ka shumë të infektuar dhe shumë të vdekur, ju mund t’i shpjegoni që për shkak se virusi ka aftësi shumë të shpejtë të shpërndarjes numri i të infektuarve është i madh, por njëkohësisht ia balanconi informacionin duke i shpjeguar që numri i të shëruarve është gjithmonë në rritje e sipër. Për rastet e vdekjeve mund t’i shpjegohet që zakonisht këto raste ndodhin tek personat që paraprakisht kanë sëmundje kronike dhe se në shumë vende shifrat e vdekjeve janë në rënie e sipër. Gjithashtu mund ta vëni theksin tek përpjekjet e pandalshme të shkencëtarëve për të zbuluar dhe testuar vaksinën kundër virusit korona sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që sa më shumë njerëz të imunizohen.

Duke i balancuar informacionet që fëmija juaj mund t’i ketë, ju krijoni një pasqyrë më të qartë të situatës reale, por njëkohësisht edhe ndikoni në zbutjen e pasigurisë tek fëmija.

Shpjegoni simptomet dhe mënyrën e përhapjes. E panjohura që konsiderohet e rrezikshme, sikur në rastin e virusit korona, tek fëmija juaj mund të shkaktojë pasiguri dhe ankth. Prandaj është e rëndësishmë që ju t’i ndani më fëmijën tuaj njohuritë mbi simptomet dhe mënyrën e përhapjes, duke ia thjeshtësuar këtë imformacion bazur në moshën e femijës.

Fëmijëve më të vegjël mund t’i shpjegoni që virusi korona është një virus i ngjashëm me gripin i cili mund të shkaktojë dhimbje fyti dhe koke. Fëmijëve në moshën e shkollës mund t’i shpjegoni që simptomet më të zakonshme të virusit korona përveç dhimbjes së fytit dhe kokës janë edhe kollitja e thatë, por gjithashtu në disa raste mund të paraqitet edhe temperaturë dhe ethe, kurse tek disa persona edhe vështirësi në frymëmarrje.

Fëmijës tuaj mund t’i interesoj se sa i rrezikshëm është ky virus, prandaj mundohuni t’i shpjegoni që shumica e atyre që infektohen e kalojnë sëmundjen lehtë, sidomos fëmijët, kurse personat e moshuar dhe ata të cilët kanë sëmundje të tjera mund të kenë nevojë të shtrihen në spital. Relaksojeni fëmijën tuaj duke i thënë që mjekët dhe infermierët kujdesen mirë për të gjithë ata që sëmuren, edhe për ata që qëndrojnë në shtëpi, kurse personat e shtrirë në spital janë nën kujdes të vazhdueshëm të mjekut. Në këtë mënyrë fëmijës i krijohet përshtypja që nuk është i vetëm dhe se nëse ai/ajo apo ndonjë anëtarë i familjes sëmuret, atëherë është dikush që kujdeset për ta.

Fëmijët pak më të rritur mund të merakosen dhe të shqetësohen për numrin e vdekjeve (informatë që e kanë nga mediet apo nga bisedat e dëgjuara). Ata edhe mund t’ju pyesin se pse po vdesin kaq shumë njerëz, kur ju thuani që virusi korona nuk është i rrezikshëm. Varësisht nga mosha e fëmijës, ju mund t’i shpjegoni që numri i personave të infektuar është shumë i madh, dhe në krahasim me numrin e madh të të infektuarve, numri i të vdekurve është i vogël.  Përsërisni që zakonisht janë personat që kanë sëmundje të tjera apo të moshuarit që rrezikojnë t’ju vështirësohet gjendja dhe të përfundojnë me vdekje, por jo të gjithëve ju ndodhë kjo dhe se numri i të vdekurve është shumë me i vogël se sa i personave të infektuar dhe atyre të shëruar.

Fëmija juaj mund t’ju pyes për mënyrën se si ai/ajo mund të infektohet me virusin korona. Jeni i/e sinqertë me fëmijën. Shpjegoni që virusi përhapet nga një person tek tjetri përmes piklave të lëngut që del nga goja kur kollitemi apo teshtijmë. Nëse një person është i infektuar, piklat që ai nxjerrë nga goja përmbajnë virusin. Nëse këto pikla me virus bien ne dorën tënde apo në fytyrë, atëherë virusi shumë lehtë mund të depërtojë brenda organizmit tënd. Ti mund ta prekësh gojën, hundën sytë dhe këto janë rrugët nëpërmes të cilave virusi e gjen mënyrën për të hyrë brenda në organizëm. Gjithashtu është me rëndësi ta informoni fëmijën tuaj që edhe sipërfaqet e ndryshme siç janë dyshemetë, tavolinat dhe të tjera të ngjashme mund të përmbajnë pikla me virus.

Balancojeni informimin e fëmijës për simptomet duke e siguruar atë, që ju si familje dhe të gjithë të tjerët jeni duke i rrespektuar këshillat e mjekut, prandaj i lani duart më shpesh dhe vazhdoni të kujdeseni më shumë për higjinenen personale dhe atë shtëpisë, në mënyrë që t’i shmangeni infektimit.

Në shqetësimet e fëmijës tuaj nëse ai/ajo apo ndonjë familjarë do të sëmurët, ju përsërisni që jeni duke e mbajtur higjienën personale dhe pastërtinë e shtëpisë, si dhe jeni duke qëndruar brenda që të mos infektoheni, por edhe nëse kjo ndodhë atëherë mjekët do të kujdesen mirë për juve.

Fokusohuni në atë së çfarë bëni ju si familje për t’u mbrojtur nga virusi korona. Fëmijët mund të kenë shumë pyetje lidhur me atë që ju si familje jeni duke bërë për të parandaluar përhapjen e virusit korona. Për shembull se pse duhet të pastrojnë duart kaq shpesh nëse askush nga ju nuk jeni të sëmurë dhe pse ndihmon larja e duarve.

Ju mund t’i përgjigjeni duke përsëritur që piklat nga kollitja apo teshtitja mund të jenë në duart tona sepse ne mund të kemi prekur sipërfaqe apo të kemi qenë në kontakt me dikë të infektuar pa e ditur ne. Duke larë duart me sapun dhe ujë të ngrohtë për 20 sekonda virusi largohet nga duart dhe më nuk paraqet rrezik për ne. Ju gjithashtu mund të gjeni mënyra kreative për t’ia bërë më interesante fëmjiës tuaj larjen e duarve, duke kënduar, numëruar, duke thënë ndonjë gjëegjëzë dhe përgjigjen ta gjejnë gjatë larjes së duarve dhe t’ua tregojnë juve pasi t’a kenë përfunduar larjen e duarve. Ju mund të gjeni ndonjë mënyrë tjetër kreative që ju e dini se do t’i dukej tërheqëse fëmijës tuaj për t’ia bërë larjen e duarve më tërheqëse.

Gjithashtu i shpjegoni që kur ju kolliteni apo teshtini, e bëni këtë në një faculetë të letrës apo në pjesën e brendshme të bërrylit, dhe të njëjtën gjë duhet ta bëj edhe ai/ajo. Faculeta natyrisht që hidhet pas përdorimit. Përsëritni arsyet se pse duhet të veprojë në këtë mënyrë.

Shpjegoni fëmijës tuaj gjithashtu që ju, në rast se dilni jashtë shtëpisë, gjithmonë e mbani distancën nga persona të tjerë nëse jeni duke pritur për pagesë në dyqan, barnatore, apo kur duhet të kryeni ndonjë punë tjetër. Shpjegoni fëmijës që distanca është e rëndësishme që të mbrohemi në rast se dikush që qëndron në radhë është i/e infektuar dhe kollitet apo teshtinë. Kur jemi larg duke mbajtur distancë nga ai/ajo, piklat nuk mund të arrijnë tek ne dhe në këtë mënyrë ne nuk infektohemi. Kjo është edhe arsyeja pse shumë njerëz këto ditë bartin maska, për tu mbrojtur nga mundësia për t’u infektuar apo për të mos i infektuar të tjerët.

Shpjegoni masat e marra nga institucionet për parandalimin e përhapjes së virusit korona. Fëmijët, sidomos ata më të vegjël, mund ta kenë të vështirë të kuptojnë se pse nuk janë duke shkuar në institucione parashkollore dhe shkollore, pse prindërit nuk shkojnë më në punë por duhet të punojnë nga shtëpia, si dhe pse nuk mund të dalin e të luajnë me shokët dhe shoqet e lagjes.

Ju, varësisht nga mosha mund t’i shpjegoni fëmijës tuaj që arsyeja pse ai/ajo nuk shkon në shkollë dhe ju në punë është që të mos jeni në kontakt me përsona që mund të jenë të infektuar pa e ditur dhe në këtë mënyrë të mos e përhapim virusin sepse atëherë shumë njerëz do të sëmureshin. Theksojani fëmijës se kjo mënyrë e kujdesit për mospërhapjen e virusit është këshillë e mjekut dhe institucioneve që vendosin për këtë çështje (kjo për fëmijët më të mëdhenjë). Shpjegoni gjithashtu që dyqanet janë të hapura sepse është me rëndësi që ne të kemi mundësi të blejmë ushqim, por që ne mund të dalim vetëm në orare të caktuara për të mos u grumbulluar shumë njerëz në një vend dhe se edhe mjekët dhe infermierët vazhdojnë të punojnë sepse ata kujdesen për të sëmurët dhe për neve nëse ne sëmuremi. Ju mund t’ia theksoni fëmijës tuaj faktin që mësimi për fëmijët është i rëndësishëm prandaj mësuesit ua kanë mundësuar të gjithë fëmijëve të mësojnë dhe të bëjnë detyrat nga shtëpia. Nëse jeni prind që punoni nga shtëpia shpjegojani fëmijës tuaj se puna që bëni ju është e rëndësishme ashtu sikurse edhe mësimi i tij/saj, prandaj edhe ju duhet të punoni nga shtëpia, për të mos humbur punën dhe për t’i ndihmuar të tjerëve përmes punës tuaj.

Fëmija juaj mund të jetë i/e shqetësuar për kohën se sa do të zgjasin këto masa në mënyrë që ai/ajo  përsëri t’i shoh familjarët, mësimdhënësit, shokët dhe shoqet. Ju, pa i premtuar atij/asaj ndonjë kohë të caktur, thuani që sa më shumë që ai/ajo, ju si familje dhe të tjerët të kujdeseni për higjienën në shtëpi dhe t’i përmbaheni këshillave të mjekut për të qëndrur në shtëpi dhe në distancë, numri i personave të sëmurë do të zvogëlohet. Kur kjo të ndodhë, mjeku dhe institucionet përgjegjëse do të na tregojnë përmes lajmeve në television, dhe do të na dhënë datën e saktë se kur ne përsëri do të fillojmë shkollën dhe të shkojmë në punë, për vizita familjare dhe të luajmë me shokë dhe shoqe.

Shpjegoni se si do të veproni ju nëse fëmija ose ndonjë anëtarë i familjes është i sëmurë. Nëse fëmija ua shtron pyetjen se si të veprojë nëse ai/ajo dyshon se është i/e sëmurë, ju ia shpjegoni se pasja e ndonjë simptomi nuk do të thotë se ju jeni i/e sëmurë. Nëse ai/ajo dyshon të jetë i/e sëmurë, i kërkoni që t’ju drejtohet juve me shqetësimet që ka.  Nëse dyshoni që keni qenë në kontakt me ndonjë të infektuar apo keni nevojë për t’u kontrolluar nga mjeku, siguroni fëmijën tuaj që do ta kontaktoni mjekun dhe se ai/ajo e vlerëson gjendjen e tij/saj.

I shpjegoni fëmijës, se në qoftëse ai/ajo apo dikush nga familja testohet nga mjeku dhe rezultati del të jetë pozitiv, dmth. që është i/e infektuar me virusin korona, atëherë ju duhet të qëndroni në shtëpi dhe të mos jeni në kontakt me njerëz të tjerë. Dikush nga rrethi i juaj i familjes apo shoqërise do të kujdeset që t’i kryej blerjet dhe obligimet e tjera për juve. Në rast se do të keni nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga mjekut, atëherë ai do t’ju shtrijë në spital, ku edhe do të kujdeset për ju gjatë tërë kohës.

Gjatë bisedës me fëmijën sigurohuni që ai/ajo e ka kuptuar informacionin dhe shpjegimet e dhëna nga ju në mënyrën e duhur. Këtë e bëni duke i shtruar pyetje fëmijëve lidhur me atë informacion që ju i keni dhënë për të marrë nga ai/ajo përgjigjen në bazë të së cilës ju e vlerësoni nëse fëmija ka marrë nga biseda atë që ju keni pasur për qëllim.

Për ta mbajtur fëmijën sa më pak të merakosur për situatën e krijuar mundohuni që t’ia mbani rutinën e gjumit të pandryshuar, siç e ka pasur gjatë kohës kur ai/ajo ka ndjekur mësimet. Mundohuni që të zhvilloni aktivitete kreative gjatë ditës si dhe të mbani lidhjet familjare dhe shoqërore të fëmjëve duke ia mundësuar atyre të kontaktojnë familjarët apo shokët dhe shoqet përmes rrjeteve sociale apo bisedave telefonike me kamerë. Kjo mund t’ia zbus sadopak fëmijës tuaj mallin për ta. Mundohuni gjithashtu që edhe ju si prindër të gjeni mënyra që të fokusoheni diku tjetër, për shembull duke praktikuar metoda medituese për relaksim, në mënyrë që të keni energjinë për të punuar nga shtëpia, kujdesur për fëmijët dhe të menaxhoni sa më lehtë që është e mundur izolimin në shtëpi.

 

 

 

 

Burimet

https://videnskab.dk/krop-sundhed/forskernes-7-gode-raad-til-hvordan-du-taler-med-dit-barn-om-corona

https://theconversation.com/coronavirus-qandas-answers-to-7-questions-your-kids-may-have-about-the-pandemic-133576

https://www.helsedirektoratet.no/nyheter/rad-om-a-snakke-med-barn-og-unge-om-koronavirus-covid-19

https://moedrehjaelpen.dk/holdepunkt/viden-og-raad/coronakarantaene-med-smaa-boern-raadgivning/

https://moedrehjaelpen.dk/holdepunkt/viden-og-raad/hvordan-passer-man-paa-barnet-i-coronatiden-raadgivning/

 

admin