April 10 2020 0Comment

Paniku: COVID-19 apo demonët e luftës, apo të dyja?

10.04.2020

nga: Luljeta Berisha Gollopeni – Psikologe, QKRMT:

Radhët e gjata duke pritur për miell, njerëz me shporta të mbushura plot duke lëvizur shkujdesur nëpër qendra të mëdha tregtare, fytyra të zbehura që reflektojnë brengë dhe tendosje, lajme vërshuese nga të gjitha kanalet e mundshme, biseda të vazhdueshme me intonacione të ndryshme zëri – por me të njëjtën tematikë… COVID – 19!

Dëgjojmë lajme nga e tërë bota dhe shohim se me çfarë shpejtësie po përhapet virusi, shpejtësi marramendëse, sa që ka vënë të gjitha resurset njerëzore dhe materiale në minimum dhe ka bërë për shumë vende të botës të pakontrollueshëm procesin e ndaljes së përhapjes së tij, si dhe të pamundur procesin e re-animimit të personave të prekur nga Virusi. Ato që ka lëvizur edhe më shpejt se Virusi kanë qenë dhe janë akoma – frika dhe paniku. Njerëzit janë mbyllur nëpër shtëpi, mbajnë mjaft të disiplinuar masat e shqiptuara nga niveli qeveritar për mos përhapjen e virusit, tentojnë të gjejnë forma për të funksionuar nga shtëpia si me punë ashtu edhe më fëmijët dhe familjarët e tyre dhe shumë procese tjera janë në fazën e adaptimit ndaj gjendjes së pandemisë.

Natyrisht, të gjitha këto veprime të ndërmarra parandaluese shpjegojnë njerëzoren. Ne këtë mënyrë funksionojmë kur ballafaqohemi me një kërcënues madhor dhe të padukshëm, bëjmë përpjekje për t’u MBROJTUR, ashtu siç dimë, dhe ashtu si mundemi, dhe kur ndjejmë kërcënimin në përmasa të mëdha dhe i perceptojmë si të papërballueshme, shtohet pasiguria  duke i lënë vend frikës  dhe panikut.

Megjithatë, nëse shikojmë vendin tonë dhe atë se çfarë është duke ndodhur këtu tek ne, është akoma për t‘mos u kuptuar mirë.  Tek ne sikur janë ndarë në dysh popullata, ata që qëndrojnë strikt prapa ndërgjegjes së shëndoshë dhe u përmbahen rregullave të lojës, ndërsa të tjerët sikur janë në modin “unë nuk sëmurem, jam i paprekshëm!”.

Nuk mund të themi që ky qëndrim vjen nga mungesa e informacionit lidhur me Virusin dhe pasojat që mund t’i shkaktojë tek personat që preken nga ai, por as edhe nga mungesa e masave të ndërmarra nga qeveria. Nëse ndalemi të analizojmë dhe të kujtojmë historinë e vendit tonë, edhe pse kanë kaluar shumë vite nga lufta, kujtimet e ngjarjeve traumatike dhe lëndimet shpirtërore që kemi përjetuar si popull janë ende aty, të gjalla dhe madje edhe shumë të fuqishme. Fatkeqësisht, sikur presin raste si ky i pandemisë që të zgjohen dhe vërshojnë trupin, shpirtin dhe mendjen!

Jo të gjithë në mesin tonë kemi aftësi natyrore për t’i përballuar situatat e vështira në jetë, jo të gjithë prej nesh kemi pasur rastin të trajtohemi apo të marrim shërbime adekuate për t’i qetësuar demonët e luftës, prandaj, jo të gjithë mund t’i përballojmë sfidat që shkaktojnë shqetësime, pasiguri, frikë dhe përfundimisht edhe panik!

Prandaj, në këto raste kemi dy mënyra se si ballafaqohemi me situata të pandemive e ato janë: ose i përcjellim udhëzimet dhe tentojmë të bëjmë të pamundurën për t’i rezistuar situatës me shpresë që gjithçka të kalojë me sa më pak dëme, ose t’i ndërtojmë muret e paprekshmërisë dhe të kalojmë në stadin e MOHIMIT: ‘mua nuk me gjen asgjë!.’ Kjo e dyta për shumë njerëz, ndonëse jo e arsyeshme, bëhet në mënyrë të pavetëdijshme mënyra e përzgjedhur e të funksionuarit dhe përballimit me stresin dhe panikun; por mos të harrojmë, ajo në veten e vet ngërthen rrezikun për t’u ekspozuar ndaj faktorëve rrezikues, por edhe për t’i ekspozuar të tjerët. Siç shihet, në popullin tonë, kjo zgjedhja e dytë është shumë e përhapur dhe mund të vihet lehtë në konkludim që ka të bëj me mos-kapacitetin për t’u bërë ballë SËRISH kërcënimeve ndaj jetës së tyre dhe familjarëve të dashur! Kupa është mbushur në luftë dhe nuk është zbrazur akoma, për të ardhur një gjë si COVID -19 dhe për ta përmbysur kupën e shumë personave të ekspozuar ndaj stresit në vendin tonë!

Shtojani të gjithë këtij stresi edhe vështirësitë ekonomike të vendit! Përderisa në shumë vende të botës, shpeshherë e vetmja brengë është se si të izolohen nga Virusi, tek ne shumë persona duhet të merren me atë se si t’ia sigurojnë familjes së tyre 50kg miell për ditët e vështira! Për ta bërë një gjë të tillë, duhet me patjetër të dalin dhe të punojnë dhe gjenden në situatë ku duhet të përzgjedhin në mes të rrezikut për të dalë në punë dhe të preken nga Virusi, apo të mos dalin në punë dhe të izolohen në shtëpi duke pritur çfarë do të ndodhë në javët/ muajt në vijim, por duke e pasur mëse të qartë që shpresa që dikush apo diçka të ju vjen në ndihmë është minimale apo edhe nuk ekziston fare… si përfundim, rezultati në cilindo rast mund tëjetë fatal!

Prandaj, po, kemi edhe të tillë, që janë të vetëdijshëm për rrezikun, nuk do kishin dalë me dëshirë as për të punuar, por janë fëmijët të cilit presin në shtëpi për bukë në tavoline.

A janë për t’u gjykuar? Kush është përgjegjës?

Prandaj, ne që jemi të dedikuar ndaj mirëqenies së personave në nevojë dhe atyre që kërkojnë shërbimet tona, të MOS paragjykojmë, por të punojmë, të japim shërbime, të avokojmë dhe të vetëdijësojmë, të edukojmë për një ndjenjë kontrolli mbi frikën pa projektuar këtë në panik publik.

Të bëjmë më të mirën të mundshme për çdo qytetar të vendit tonë pa u kursyer!

Por, duke qëndruar të qetë dhe të sigurtë, duke aplikuar masat e parashtruara!

admin