September 15 2020 0Comment

“Punëdore nga argjila” – punëtori me gra dhe vajza azilkërkuese në Qendrën e Azilit

15.09.2020

Nga: Malisa Zymberi – Psikologe, KRCT

“Punëdore nga argjila” – punëtori me gra dhe vajza azilkërkuese në Qendrën e Azilit

DHIMBJE DHE HESHTJE, DASHURI DHE PRANIM

                                     

Shënim: Ky artikull përfaqëson vëzhgimet e psikologes sonë, Malisa Zymberi, për aktivitetet me gratë dhe vajzat azilkërkuese. Ky artikull është vetëm një pasqyrë e ndikimit të lidhjes ndërpersonale dhe aktiviteteve të ekipit tonë në mirëqenien psikologjike të azilkërkuesve dhe refugjatëve.

 

“Nuk është se nuk jam e vetëdijshme për punën me argjilë, është më shumë sikur kurrë nuk kam pasur rastin të punoj diçka të ngjashme ose të krijoj dicka të timen. Gjithashtu … Bizhuteritë e mia jane djegur vite më parë!”, ishte një nga komentet e para nga një grua azilkërkuese kur filluam të shpjegonim se si të punojmë me argjilë të thatë si një hyrje në puntorin tonë me gra në  Qendrën e Azilit në Magurë, Lipjan.

Braktisja e vendlindjes dhe kërkimi për një shtëpi të re diku tjetër përbënë esencën e jetës së tyre. Të udhëtosh për javë, muaj dhe vite nëpër rrugë të ndryshme e vende malore dhe të ëndërrosh për një tendë/dhomë të kampeve ose qendrave të refugjatëve. Këto punëtori nuk janë një shërim për vuajtjet e tyre, por ato përfaqësojnë një moment paqeje, një ikje nga mendimet e tyre më të këqija të përvojave të paharrueshme nga e kaluara e tyre.

Ekipi i Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) në partneritet me UNHCR, zyra në Prishtinë, ka organizuar javën e kaluar punëtorinë e parë me argjilë me azilkërkuesit në Qendrën e Azilit në Magure.

Shërbimet dhe aktivitetet tona me azilkërkuesit dhe refugjatët për gati një dekadë tani janë një mjet themelor për të ndikuar pozitivisht në mirëqenien dhe gjendjen e tyre psikologjike.

Punëtori të ngjashme të natyrave të ndryshme organizohen çdo javë; ato janë një mënyrë e re që azilkërkuesit të fillojnë të besojnë se kjo botë ka gjëra më të mira për të ofruar.

 

Gratë dhe vajzat e reja azilkërkuese morën pjesë në punëtorinë e argjilës. Një tryezë me mjete pune të panjohura, katër gjuhë të ndryshme dhe histori kuptimplota, përfaqësojnë një ditë pune normale për ekipin tonë, por jo një ditë të zakonshme për gratë dhe vajzat që udhëtojnë shumë në ndjekje të një jete më të mirë.

Më shumë se nëntë punime bizhuterish u krijuan me të gjitha ngjyrat dhe format e preferuara. Puna me argjilë kërkon përpjekje, vigjilencë, kohë dhe durim. Nuk ishte aspak e mundimshme për to; përkundrazi përfaqësonte katër orët më paqësore që kanë pasur mundësinë t’i përjetojnë për një periudhe të gjatë kohe.

 

“Burri im u vra vite më parë, ai më la mua dhe fëmijën tim në një dhimbje të jashtëzakonshme. Unë u martova vite më vonë dhe tani kam një fëmijë tjetër me burrin tim të ri”, u dëgjua të thoshte njëra prej grave në mes te heshtjes derisa puna me argjilë vazhdonte. Nuk kishte asnjë pyetje drejtuar asaj; përfunduam së dëgjuari një këngë arabe të prezantuar nga njëra vajzë dhe duke ngjyrosur format e argjileve që gati po përfundonim.

Grupi është atje për të dëgjuar histori që është e vështirë të thuhen në çdo kohë apo vend tjetër. Grupi është aty për dhimbjen dhe heshtjen, dashurinë dhe pranimin, ndërtimin e besimit dhe dhënien e hapësirës. Krijimi i një arti kuptimplotë me njerëz të tjerë në një dhomë, mbetet një mënyrë e sigurt për të thënë të pathënat, për të hequr barrën e rëndë prej shpatullave të tyre. Arti gjithmonë na ka ndihmuar për të komunikuar më lehtë me këtë grup të ndjehshëm dhe për t’i dhënë hapësirë për të shprehur veten e tyre.

 

 

Këto lloj aktivitetesh ndikojnë jo vetëm në mirëqenien e përgjithshme psikologjike të grave azilkërkuese, por edhe në rritjen e tyre personale. Ato motivojnë gratë dhe vajzat të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të fuqizojnë veten dhe njëra-tjetrën.

Ekipi i QKRMT-së së bashku me UNHCR-në do të vazhdojnë organizimin e aktiviteteve të kësaj natyre dhe ofrimin e shërbimeve psikologjike në baza ditore për azilkërkuesit në Kosovë.

admin