May 29 2020 0Comment

Rrëfim nga: ‘Ditari i psikoterapisë me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosove’

29.05.2020

Nga: Selvi Izeti Çarkaxhiu – Psikologe, QKRMT

Rrëfim nga: ‘Ditari i psikoterapisë me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosove’

Të mbijetuarit në kohën e Pandemisë – shkëputur dhe përmbledhur nga seancat psikoterapeutike me një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Reflektim i psikologes në punën me klientën gjatë periudhës së pandemisë të COVID-19.

“Unë jam një e mbijetuar!”

“Isha vetëm 16 vjeçe kur me dhunuan gjatë luftës, por me janë dashtë 18 vite për ta marrë veten nga pasojat. Kur lufta përfundoi, shoqet e mia vazhduan shkollimin, vazhduan jetën, jetësuan ëndrrat, ndërsa jeta ime ngriu aty, një pjesë e imja vdiq, ëndrrat e mia u shuan dhe unë jetoja me shpirtin copë copë në një trup që shpesh nuk e ndija nëse ishte trupi im. Pas 18 viteve me ndihmën e organizatës ku mu dha mundësia të punoj me vetën, me dhimbjet dhe kujtimet dërrmuese te mia, t’i jap kuptim asaj çfarë ka ndodhur, mblodha gjithë forcën time pikë me pikë dhe fillova t’i kthehem jetës, brenda meje rilindi një shpresë dhe fillova t’i shoh gjërat ndryshe, u ndjeva e mbijetuar! Vendosa të shkëputem nga e kaluara e hidhur dhe t’i shtrij krahët drejt së ardhmes, sepse dukej vërtetë bukur. Pikërisht atëherë kur dola nga izolimi im shpirtëror sot gjej veten të izoluar brenda katër mureve nga ky virus i mallkuar. Më vjen të bërtas me gjithë fuqinë time dhe t’i them se: nuk ta kam frikën, kam përballuar shumë më shumë, edhe kur ndihesha vetëm! Edhe ty do të përballoj, sepse tani VETËM NUK JAM MË!

Selvi, Psikologe

Ne punën time 13 vjeqare me traumat e luftës kam dëgjuar histori që ishin jashtëzakonisht të tmerrshme, që ta thyejnë zemrën, madje disa aq të rënda sa që truri nuk e kupton dhe e ka të vështirë të pranoj se si dora njerëzorë mund të bëj aq shumë dëm. I dimë këto histori ne që punojmë me të mbijetuarit e dhunës seksuale, jemi ne ata që i dëgjojmë me vëmendje çdo ditë tek flasin për dhimbjen, frikën, ankthin dhe traumat e tyre. Jemi ne ata që pranojmë emocione të vështira në dhomë të psikoterapisë, dhe përpiqemi t’i përmbajmë ato, gjë që ndihmon të mbijetuarit të ndihen të kuptuar dhe të mbështetur.

Ndodhë shpesh që në fund të seancës të ndihemi të prekur thellë nga tregimet e të mbijetuarve, emocionet e tyre, përvojat e tyre. Edhe pse në të shumtën e rasteve, ne mund ta ndajmë shqetësimin e tyre nga jeta jonë personale, ndonjeherë nuk është edhe aq e lehtë. Madje, ndonjëhërë  më ndodhë që personalisht  t’i lejoj vetës që t’më pikojnë edhe ca lotë nga ajo që ndëgjoj, sepse bashkëndjenja, nuk vjen domosdoshmërisht nga identifikimi me rrethanat, por më tepër nga lidhja, mirëkuptimi dhe të qenit me të mbijetuarit në emocionet e vështira që shoqërohen nga përvoja trumatike. Në punën tonë ne ngushëllojmë, qetësojmë dhe ndihmojmë njerëzit të përdorin çfarëdo burimi që kanë për të përballuar traumën, edhepse shpeshherë dijnë me qenë të pakëta. Por, historitë sikurse kjo e HANËS që përkundër gjithë dhimbjes, gjenë forcën për tu përballë me jeten dhe vazhduar tutje, na frymëzojnë dhe fuqizojnë edhe me tepër për të vazhduar tutje. Hana në rrëfimin e saj gjatë seancave të mbajtura online, kishte vendosur që përfundimisht të dalë nga balta e gjallë që as nuk e përbinte e as nuk e linte të lirohet. Nga balta e traumës që e mbante si të paralizuar për kaq shumë vite me radhë. Njëzet vjet që nga dita kur ora ndaloi së trokituri për të, tani  ajo sërish është aktivizuar! Ajo ështe ngritur në këmbë, ka vendosur të jetojë ashtu siç duhet të jetohet sepse e ndjenë që ka MBIJETUAR TRAUMËN!

admin