May 14 2020 0Comment

Si mund të ndikojë Covid-19 tek të mbijetuarit e traumave të luftës

14.05.2020

nga:  Selvi Izeti Çarkaxhiu – Psikologe, QKRMT

Ndërsa po përballemi  me Pandeminë dhe distancimi shoqëror, ne po përballemi me një traumë kolektive. Çdo ditë dëgjojmë lajme për përhapjen e virusit, numrat më të fundit të vdekjeve  në vend dhe  në botë  si dhe histori tragjike të vuajtjeve dhe humbjeve. Çdo ditë shqetësohemi për sigurinë tonë dhe për sigurinë e më të dashurve tanë.

Megjithëse distancimi shoqëror është një hap i shkëlqyeshëm për parandalimin apo zbutjen e përhapjes së pandemisë, pa dyshim që ka edhe pasojën emocionale, meqë për shumë njerëz  distancimi social mund të rrisë një ndjenjë izolimi nga të tjerët, duke i bërë ata të ndjehen sikur janë vetëm dhe larg ndihmës, dhe i bënë të ndjehen të kërcënuar dhe të pa shpresë. Stresi i përjetuar në këtë formë  mund të nxisë traumat e përjetuara më parë  duke hapë plagët e vjetra dhe duke rritë ankthin.

Këtë po e vërejmë çdo ditë në punën tonë si psikolog më të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, tek shumë prej të cilëve është nxituar trauma dhe e cila zakonisht përcillet me:

  • Rikujtime të ngjarjeve traumatike

Kujtimet e traumës së përjetuar më parë mund të vijnë papritmas kur më së paku pritet të ndodhin. Nxitja e traumave ndodhë kur gjërat që na rrethojnë ngjasojnë me gjëra të përjetuara në kohën e ngjarjeve traumatike. Për shembull: personat e traumatizuar mund të jenë duke shikuar televizion dhe një tingull apo një pamje televizive mund të nxisë një skenë nga trauma e përjetuar e cila  papritmas shfaqet si fotografi në kokën e tyre dhe shpesh përcillet me disa ndjenja të përziera si frikë, ankth, zemërim, etj. Këto rikujtime të ngjarjeve traumatike mund të jenë aq të gjalla dhe intensive sa që mund të krijohet ndjenja se ngjarja traumatike po ndodhë përsëri. Kujtimet e ngjarjeve traumatike mund të ndërhyjnë edhe gjatë natës, në formën e ëndrrave të këqija ose tmerreve të natës .

  • Probleme me gjumë

Koha e gjumit mund të jetë veçanërisht e vështirë për personat e traumatizuar, qoftë nëse përballen me ëndrra të këqija ose jo. Ëndrrat jo gjithmonë kanë përmbajte të luftës ose të përvojave traumatike, thjesht, të mbijetuarit e traumës mund të përballen me ëndrra që i bëjnë të zgjohen me një ndjenjë frike ose ankthi. Disa e kanë problem që ti zë gjumi, disa zgjohen disa herë gjatë natës pa ndonjë arsye te caktuar, ose mund të përjetojnë  një ndryshim në orarin e gjumit duke qëndruar zgjuar deri në orët e mëngjesit dhe pastaj duke qëndruar të përgjumur  gjatë gjithë ditës.

  • Ndjenja e të qenit vazhdimisht në roje/ pritje

Për shkak të ndjenjës së pasigurisë, personat e traumatizuar  mund të ndihen vigjilent për rrezikun gjatë gjithë kohës dhe vazhdimisht mund të kenë ndjesinë se diçka e keqe pritet të ndodhë. Alarmi i sistemit nervor tek ata është vazhdimisht i ndezur dhe nuk mund të qetësohen. Kjo madje ndjehet edhe në trup si – shtrëngim në shpatulla, shtangim i nofullës, mpirje e duarve dhe e këmbëve, dhimbje koke, dhimbje stomaku, etj.

  • Ndjenjat negative

Stresi i përjetuar tani dhe trauma e nxitur sjellin gjithashtu ndjenjat që janë përjetuar menjëherë pas përjetimit të traumës, si të qajturat e shpeshta, frikësimi edhe nga zhurmat e lehta, sulmet e panikut, apo ndjenja e të qenit i pafuqishëm, i pa vlerë ose i pa shpresë.

  • Mpirja emocionale

Ndodh shpesh që personat e traumatizuar të ndjehen të shkëputur nga emocionet e tyre  —  të ndjehen të paaftë për të ndjerë emocione qofte pozitive apo negative dhe shpesh raportojnë se ”as nuk po di me u hidhëru as me u gëzu”. Ky lloj i mpirjes emocionale ndodhë sepse individët e prekur nga trauma, në pamundësi për tu ballafaquar me emocionet e forta negative, i bllokojnë ato dhe njëkohësisht bllokojnë edhe emocionet pozitive.

  • Shmangia

Trauma e nxitur mund të çojë në shmangien e disa sjelljeve që shkaktojnë ndjenja shqetësuese, si përpjekja për të injoruar lajmet për COVID-19, mbyllja në vete, fokusimi i tepruar në punë për të larguar kujtimet e traumës, etj. Këto reagime kuptohen si mekanizma mbrojtës për të shmangur emocionet e forta, por të njëjtën kohë, shmangia e vazhdueshme e pengon përpunimin e traumës dhe procesimin e kujtimeve të dhimbshme.

  • Mendime negative

Gjendja e tanishme e frikës, e ankthit dhe traumës se nxitur për shumë të mbijetuar mund të shkaktoj ndryshime lidhur me mënyrën se si i shohin gjërat: mund të kenë një pikëpamje më negative ndaj botës, duke parë rrezikun kudo, ndoshta edhe aty ku nuk ka arsye të caktuar. Vetë-perceptimi mund të ndryshoj duke e parë vetën të dobët, të pafuqishëm ose të çmendur, por, dhe të tjerët mund t’i shohin më ndryshe dhe të mendojnë se askujt nuk mund t’i besojnë.

xxx

Për të mbijetuarit e traumave të luftës: Nëse jeni duke u përballë më këto reagime, duhet ta dini se këto janë reagime normale ndaj një situatë jo normale me të cilën ju jeni ballafaquar më herët dhe me një situatë jo normale pandemie me të cilën të gjithë po ballafaqohemi tani.

Distancimi shoqëror është mjaft i vështirë për të gjithë ne. Por, dijeni se asgjë nuk do të zgjasë përgjithmonë, as izolimi dhe as ndjenjat e mendimet tuaja negative. Prandaj, është me rëndësi të qëndroni në kontakt me njerëzit tuaj mbështetës, qoftë me miq, familje, fqinjë, por edhe me neve psikoterapistët. Në mënyrë që të takohemi përsëri, ne duhet të jemi fizikisht larg tani, por kjo nuk do të thotë se ju jeni vetëm. Ne jemi vetëm një telefonatë larg jush dhe mbani mend, fakti se ju jeni të mbijetuar, ju keni kaluar shume vështirësi dhe shume sfida, ndërsa në këtë betejë jemi bashkë dhe bashkë do t’ia dalim!

admin