Bordi

Drejtori Ekzekutiv

Lidershipi dhe menaxhmenti i organizatës, është përgjegjësi e drejtpërdrejt e Drejtorit Ekzekutiv, e/i cila/i i përgjigjet Bordit, ndërsa një herë në vit i raporton Kuvendit të Anëtarëve dhe është kryesisht përgjegjës për realizimin e planeve strategjike, politikave dhe ngritjen e fondeve. Përveç përgjegjësive të përmendura, Drejtori Ekzekutiv: në përputhje me statutin dhe programin e organizatës, e përfaqëson atë tek palët e treta, sipas nevojës inicion mbledhjet e Bordit, si dhe mbikëqyr çështjet teknike dhe administrative të organizatës. Aktualisht, drejtore ekzekutive është znj. Feride Rushiti.

Feride Rushiti, MD

FR_s

Dr. Feride Rushiti është themeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitmin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) që nga viti 1999. Znj. Rushiti ka diplomuar dhe specializuar në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës, Shqipëri.

Feride Rushiti është një nga aktivistet pionere e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në vitin 1999, menjëherë pas luftës në Kosovë, ajo themeloi QKRMT-në, me qëllim të trajtimit të të mbijetuarve të torturës, ku ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në ofrimin e asistencës mjekësore dhe psiko-sociale për të kthyerit e parë të pasluftës.

Znj. Rushiti filloj punën e saj në Mars 1999, kur gjysma e popullatës ishin larguar nga Kosova dhe shumica ishin deportuar në Shqipëri; shumë prej tyre kishin vuajtur pasojat e torturës mendore dhe somatike dhe kishin përjetuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Qysh atëherë, ajo vazhdoi të përkrahë të mbijetuarit e torturës dhe traumës të pasluftës, duke u angazhuar fuqishëm në promovimin dhe avancimin e të drejtave të tyre, përfshirjen sociale, luftimin e stigmatizimit, si dhe njohjen ligjore për këtë grup të ndjeshëm shoqëror.

Në harkun kohor 20 vjeçar të punës dhe aktivitetit të saj, rëndësi parësore u ka kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë. Pas gati dy dekadave punë dhe angazhim të pakompromis të Znj. Rushiti, të mbijetuarve të dhunës seksuale u është njohur statusi ligjor si viktima civile të luftës. Saktësisht, në vitin 2017, avokimi i saj çoi në një vendim të rëndësishëm Qeveritar për të financuar pensionet personale për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga kohës së luftës në Kosovë

Që nga viti 2007 në kuadër të Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Avokimit, ajo ka qenë shumë aktive në lobimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria. Në këtë drejtim, fal kontributit dhe ndikimit të Znj. Rushiti, situata e përgjithshme e trajtimit dhe korniza ligjore për personat e privuar nga liria është promovuar dhe përmisuar.

Feride Rushitit, si rezultat i angazhimit të saj të guximshëm dhe të pareshtur në fushën e Rehabilitimit, Të Drejtave të Njeriut, Hulumtimit dhe Dokumentimit, Avokimit dhe Lobimit, si dhe Fuqizimit Ekonomit/Riintegrimit, në vitin 2018 Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndarë Çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme.

Fushat kryesore të interesit janë: lidershipi, menaxhimi dhe implementimi i projekteve, avokimi dhe lobimi për të drejtat e njeriut në përgjithësi me një fokus të veçantë mbi të mbijetuarit e torturës dhe grupeve të tjera të ndjeshme. Znj. Rushiti ka marrë pjesë në disa projekte dhe konferenca për të drejtat e njeriut në Evropë.