HISTORIKU I QKRMT-SË

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, është organizatë e pa varur, jo qeveritare dhe jo fitimprurëse, e themeluar në vitin 1999 me qëllim të ofrimit të trajtimit dhe rehabilitimit për të mbijetuarit e torturës. QKRMT, në vazhdimësi punon në ngritjen dhe forcimin e kapacitetit të stfit të saj dhe të sektorit publik në ofrimin e shërbimeve për të mbijetuarit e torturës dhe traumës.

QKRMT, gjithashtu është angazhuar në promovimin e respektimit të drejtave të njeriut për të gjitha etnicitetet në Kosovë, si dhe në parandalimin dhe çrrënjosje e torturës dhe formave tjera të keq trajtimit.

Pas kthimit të refugjatëve në Kosovë, nevoja për mbështetje psikosociale ishte mëse evidente. Andaj, pak muaj më vonë, Feride Rushiti përkrahur nga shumë bashkëpunëtorë professional të cilët paraprakisht ishin angazhuar në Shqipëri (QShRT dhe QSHDDNj), si dhe me mbështetjen e pakursyer të Këshillit Ndërkombëtar për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, themeloi Qendrën Kosovare Për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të cilën e udhëheq edhe sot e kësaj dite.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës u themelua në përgjigje të nevojës për mbështetje psiko-sociale të viktimave të torturës dhe dhunës sistematike ndaj popullatës civile gjatë luftës  në  Kosovë  (1998-1999), që shkaktoi pasoja të rënda për kushtet shëndetësore, mendore dhe psiko sociale për këtë popullatë. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) u shndërrua në vendin ku një grup mjekësh me dedikimin, altruizmin dhe humanizmin e tyre u shërbyen të traumatizuarve në një gjendje emergjence në Shqipëri, e më pas viktimave të torturës dhe traumës si dhe të rikthyerve në një Kosovë të lirë dhe të pavaruar.

Në këtë realitet, stafi i QKRMT u rrit dhe u mbështet nga organizata të tilla si QSHRT dhe QSHDNJ (Shqipëri), të cilat mbeten pjesë e historisë sonë nëpërmjet kontributit të vyer gjatë eksodit. Gjendja pas lufte, kërkoi ndërhyrje humanitare, duke krijuar kushtet për krijimin e organizatës së parë profesionale në fushën e shëndetit mendor si QKRMT, të mirëpritur nga Këshilli Ndërkombëtar për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (IRCT), e më pas nga komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Kosovë.

Qëllimi themelor i QKRMT mbetet trajtimi dhe rehabilitimi për viktimat e torturës, ndërtimi i kapaciteteve menaxhuese dhe profesionale për stafin e QKRMT, ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të stafit të saj dhe sektorit publik, për ofrimin e shërbimeve lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me torturën dhe traumën. QKRMT, vazhdon të luftojë për promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitetet në Kosovë; avokimin tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare në parandalimin dhe çrrënjosjen e torturës dhe çdo forme tjetër të keqtrajtimit si dhe ngritjen dhe konsolidimin e partneriteteve për një botë pa torturë.