Fuqizimi Ekonomik/Riintegrimi

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës është e angazhuar në fuqizimin ekonomik të grave dhe riintegrimin e tyre. Përmes mbështetjes dhe fuqizimit të grupeve vetë-ndihmuese të të mbijetuarve, QKRMT ka iniciuar dhe mbështetur themelimin e një organizate lokale në Drenas nga vetë të mbijetuarve.

Përgjatë ekzistencës së saj, QKRMT është angazhuar në implementimin e programeve të cilat drejtpërsëdrejti apo tërthorazi kanë kontribuar në riintegrimin e grave, veçanërisht të mbijetuarve të torturës dhe grupeve tjera të margjinalizuara. Së fundi, QKRMT, ka implementuar Projektin Fuqizimi i Barabartë Ekonomik për të gjitha gratë në Kosovë, i cili ishte i fokusuar tek gratë/të mbijetuara të dhunës seksuale dhe dhunës në baza gjinore në Kosovë, me fokus të veçantë në rajonin e Drenasit, i cili ishte i prekur nga dhuna dhe traumat e luftës, si dhe në rajonin e Gjilanit, ku janë përfshi gratë e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, me qëllim të pjesëmarrjes, të drejtave dhe mundësive të barabarta në qeverisje dhe ekonomi.

QKRMT, në mënyrë të vecantë ka adresuar problemin e dy kategorive vulnerable të grave në rajonin e Drenasit dhe të Gjilait: Gratë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë; dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe në baza gjinore në mesin e komunitetit minoritar. Këto kategori kanë qenë më të diskrimuarat dhe të përjashtuara nga mundësitë shoqërore për zhvillim.

QKRMT ka për qëllim që gratë/të mbijetuara të dhunës seksuale dhe në baza gjinore në Kosovë, të kenë mundësi dhe të drejta të barabarta për pjesëmarrje në qeverisje dhe ekonomi, përmes përmirësimit të përfaqësimit, edukimit dhe punësimit.

Ngritja e kapaciteteve/trajnimet për Lidership, Ndërmarrësi dhe Shkathtësi Sociale – Trajnimet tona kanë ndikuar në rritjen e produkteve artizanale, aktivizmit shoqëror dhe angazhimit në komunitet. Të gjitha këto trajnime kanë mundësuar fuqizimin e grave të cilat kishin ndonjë profesion dhe tashmë janë në gjendje që të gjenerojnë të ardhura për vetveten dhe familjet e tyre.

Qasja në shërbime dhe edukim profesional – me qëllim të përmirësimit të qasjes në edukim dhe shërbime profesionale, të cilat ofrohen nga agjenci të ndryshme punësimi, QKRMT ka dizajnuar dhe publikuar materiale promovuese nëpër kampanja të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe angleze.

Qasja në iniciativat lokale ndërmarrëse – mbështetja për familjet e të mbijetuarve në zhvillimin e bizneseve të vogla (vetë-punësimi) për aktivitete prodhuese. Inkuadrimi i të mbijetuarve në prodhimin e produkteve me mbështetjen e rrjetit të QKRMT.

Ndryshimi i politikave në rritjen e punësimit dhe qasjes në qeverisje – QKRMT përmes hulumtimeve të ndryshme me të mbijetuar të dhunës seksuale dhe në baza gjinore ka mbledhur pikëpamjet dhe vizionin e tyre për pjesëmarrje në qeverisje dhe mundësi punësimi në Kosovë. QKRMT, në vazhdimësi monitoron autoritetet qeveritare në shqyrtimin dhe inkorporimin e të gjeturave dhe rekomandimeve tona në ligje dhe akte tjera nënligjore, që kanë të bëjnë me gratë / të mbijetuara të dhunës seksuale dhe në baza gjinore.