REHABILITIMI

Rehabilitimi dhe trajtimi

Aktiviteti kryesor i QKRMT-së është ofrimi i shërbimeve rehabilituese. QKRMT siguron një qasje multidiciplinare dhe te integruar në trajtimin e çështjeve shëndetësore dhe problemeve psikosociale për të mbijetuarit e torturës dhe traumës, si dhe familjarët e tyre.

Qëllimi i rehabilitimit është fuqizimi i mirëqenies sociale, gjendjes psikosociale dhe fizike për të mbijetuarit e torturës dhe familjeve të tyre, në mënyrë që t’u mundësohet integrimi i sërishëm në shoqëri. Procesi i rehabilitimit ndjek fazat e paracaktuara të vlerësimit të përgjithshëm, vlerësimit psikologjik, mjekësor dhe social, përfshirë regjistrimin dhe diagnozën, trajtimin, monitorimin dhe përcjelljen e rasteve. Gjithashtu, përmes shërbimeve të saja profesionale, QKRMT në vazhdimësi ka asistuar personat nën përkujdesje të UNHCR siç janë: azil kërkuesit, refugjatët, të kthyerit, personat e shpërngulur brenda vendit, dhe personat pa shtetësi.

Përfituesit: Personat që kanë përjetuar ngjarje traumatike si pasojë e shpërnguljeve masive të dhunshme, shkallës së lartë të dhunës politike, apo konflikteve tjera traumatike, si dhe personat që kanë humbur të afërmit apo shokët. Në këtë kategori përfshihen: ish të burgosurit, të mbijetuarit e masakrave, gratë e dhunuara, të vejat, jetimët, të kthyerit, si dhe të mbijetuarit tjerë të torturës dhe trajtimit mizor, degradues e çnjerëzor, apo të dënuar si dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Rehabilitimi Psikologjik 

Ka për qëllim lehtësimin e vuajtjeve psikike dhe përmirësimin e gjendjes sociale dhe psikologjike të klientëve. Një ekip specialistësh i përbërë nga psikiatër, psikologë dhe punëtorët social ofrojnë këto shërbime në baza ditore:

-konsultime të përgjithshme, mbështetje;

-psikoterapi individuale

-psikoterapi grupore

-terapi familjare

-terapi shprehëse-kreative

-terapi kognitive-bihevjorale

-terapi ekspozuese të zgjatur

Rehabilitimi Fizik 

Rehabilitimi Fizik është realizuar nga një praktikant i përgjithshëm. Trajtimi mjekësor paraqet një trajtim të konsoliduar në QKRMT. Të gjithë klientëve u është ofrouar një ekzaminim i përgjithshëm mjeksor, pasiqë një numër i konsiderueshëm i klientëve kanë shfaqur shqetësime somatike si pasojë e torturës fizike.

Asistenca Sociale 

Asistenca sociale përshinë:

-Identifikimin e të mbijetuarve të torturës dhe traumës, që kanë nevojë për asistencë sociale

-Analizimin e ksuhteve dhe perfitimeve sociale për të mbijetuarit e torturës dhe traumës, përmes ndërtimit të bashkëpunimit me institucione relevante sociale dhe organizata humanitare

-Referimin e të mbijetuarve të torturës dhe tek institucionet relevante

– Publikimet dhe raportimet mbi gjendjen sociale të të mbijetuarve.

DOKUMENTIMI 

Shërbimi i dokumentimit mbledh të dhëna nga dosjet e klientëve në baza ditore, me qëllim ofrimin e të dhënave të përditësuara. Ky dokumentim lehtëson hulumtimin dhe rrjedhimisht përmirëson punën terapeutike të stafit rehabilitues. Për më tepër, databaza mund të përdoret për qëllime klinike, gjithashtu, përmirëson kualitetin dhe koston-efektive të shërbimeve terapeutike.