Çmimin për Guxim – Vasfije:

13.10.2020

“Çmimin për Guxim – Vasfije” (Vasfije Courage Award) – Themeluar në vitin 2019, ky çmim vjetor nderon personat apo organizatat/institucionet që kanë demonstruar guxim, përkushtim dhe udhëheqje të jashtëzakonshme në avancimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, duke sjellë ndryshime të prekshme në përmirësimin e jetës dhe integrimin ekonomik, social e kulturor të kësaj kategorie të ndjeshme shoqërore.

Këtë vit, në shënimin e 21 Vjetorit të themelimit të saj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, do ta nderojë znj. Kadire Tahiraj me “Çmimin për Guxim – Vasfije” (Vasfije Courage Award). Ndarjen e çmimit do ta bëjë znj. Shyrete Tahiri Sulimani, e cila ishte edhe personi i parë i nderuar me këtë çmim (2019).

Kadire Tahiraj – në vitin 2013 themeloi Qendrën për Promovimin e Drejtave të Grave, ku aktualisht është edhe Drejtore Ekzekutive. Znj. Tahiraj është një nga aktivistet e njohura të të drejtave të grave në rajonin e Drenasit, një nga zonat më të prekura nga koha e luftës në Kosovë.

Që nga viti 2009, ajo ishte e angazhuar në mbështetje, mbrojtje dhe promovim të të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe asaj në baza gjinore. Më pas, në 2013 ajo themeloi Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas. Kjo organizatë synon të përmirësojë të drejtat e grave në të gjitha aspektet, me theks të veçantë në avokimin e të drejtave të grave të cilat kanë përjetuar trauma dhe tortura nga koha e luftës, duke ofruar trajtim dhe rehabilitim të drejtpërdrejtë, mirëqenie sociale, siguri, avokim për barazi gjinore dhe fuqizim ekonomik të grave.

Aktivitetet e QPDG-së në lidhje me identifikimin e viktimave të dhunës seksuale nga koha e luftës, shtrihen edhe në komuna të tjera si: Skenderaj dhe Klina. Në vitet e fundit, Znj. Tahiraj përmes projekteve të ndryshme ishte e angazhuar në fuqizimin ekonomik të grave nga Drenasi.

Për më tepër, në vitin 2017 Çmimi FIDES për Fuqizimin e Grave iu nda Znj. Kadire Tahiraj për kontributin e saj të shkëlqyeshëm në promovimet e së drejtës së grave dhe fuqizimin ekonomik.