NEWBORN 2020: Lindja e një të ardhme për te mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë

18.02.2020

Sot, 12 vjet më parë u jetësua ëndrra e kahmotshme e shqiptarëve të Kosovës për shtet të mëvetshëm. Ky rrugëtim shumëshekullor, pervecse i mundimshëm ishte po aq i dhimbshëm. Shumë vuajtje e sakrifica na shoqëruan përgjate çlirimit. Monumenti NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit te Kosovës, e që njëherësh është edhe lindje e shpresës për një jetë të re, këtë vit i dedikohet një kategorie të veçantë shoqërore – të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Përfundimi i luftës në Kosovë dhe shpallja e Pavarësisë, thuajse vetëm për këtë kategori të ndjeshme shoqërore nuk shënoi fillimin e nje jete të re, në fakt përfundimi i luftës për to/ta solli fillimin e një vuajtje të re, asaj të nëpërkëmbjes , përbuzjes e fajësimit për dicka  që më së paku do të mund të fajësoheshin.

Sëkëndejmi, është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i kapërcejë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karrshi kësaj kategorie shoqërore. Kësisoj, NEWBORN tërësisht ju dedikohet viktimave – të mbijetuar të dhunës seskuale.