March 12 2021 0Comment

T’krijosh për të dhënë

12 Mars, 2021

Pavarësisht se si udhëtimi i jetës ka formuar përceptimin e botës që i rrethon, fisnikëria dhe mirësia e këtyre grave azil kërkuese kanë mbetur të paprekura. Shprehia e tyre për të krijuar që pastaj të dhurojnë – u jep atyre një kënaqësi të vërtetë dhe një ndjenjë të thellë paqeje.

Thurja filloi së pari si një ide për të ndihmuar socializimin e grupeve të këtyre grave, si dhe për të krijuar një rutinë ku ato mund të pasurojnë ditën e tyre me një aktivitet kaq komod. Çuditërisht, ky aktivitet u bë shumë më tepër se kaq – përveç shoqërimit dhe rutinës së përditshme, u mendua edhe për mundësinë për të krijuar një dhuratë që i jep ngrohtësi të dashurve të tyre.

“Ka të bëjë me ndjenjën që kam kur mund të krijoj diçka me duart e mia si një dhuratë për të dashurit e mi. Dikur u bëja dhurata të bukura fëmijëve të mi shumë shpesh. Nuk më kujtohet herën e fundit kur fëmijët e mi kanë pranuar një dhuratë nga unë. Dje ishte ndryshe.  Mbarova së thurur kapelet e tyre bashkë me shallat dhe i lashë në shtretërit e tyre, kështu që kur të zgjoheshin, kjo do t’ua bënte ditën më të ngrohtë! ” tha Amira pas klasës së thurjes.

Çdo produkt i thurjes përcjell një mesazh me shumë dhimbje. Dhoma ku po zhvillohet klasa e thurjes dalë ngadalë ka fulluar të bëhet një vend familjar, ku këto gra kalojnë kohën më të madhe të ditës.

Në një nga klasat, Fatima filloi të na tregonte historinë e fshehur pas shallit të saj të thurur: “Kur fillova ta thurja këtë shall, nuk e dija me të vërtetë për kë po e thurja, madje as për atë që do të ishte sigurt një shall, çorape apo një kapelë.  Thjesht isha e lodhur nga mendimet e mia shqetësuese që më kujtonin çdo sekondë të së kaluarës sime të tmerrshme. Kisha nevojë për një pushim! Fillova të mendoj se si e kam harruar ekzistencën e Mahmut, burrit tim. Kanë kaluar vite që kur kemi lënë shtëpinë tonë dhe po ecim / udhëtojmë nga një vend në tjetrin. Ne jemi gjatë gjithë kohës të shqetësuar për fëmijët tanë, të ardhmen e tyre dhe sigurinë e tyre. Kam harruar dashurinë që kam për të. Kam harruar që dikur kujdeseshim për njëri-tjetrin. Bëra edhe disa fije me krabëz dhe vendosa ta thur këtë shall për të. Notova në secilin kujtim që kemi pasur së bashku dhe  thura një shall të gjatë si një kremtim i dashurisë sonë ”.

Që kur thurja u prezantua tek gratë azil kërkuese, atmosfera vetvetiu ndryshoi brenda qendrës së azilit. Aisha, për shkak të përvojës së saj të gjatë me thurjen dhe qepjes në Siri, u bë mentorja e klasës së thurjes për të gjithë grupin.“Dikur kisha shkollën time të qepjes në shtetin tim. Kisha rreth njëqind studentë gjatë një viti dhe tre të punësuar. E udhëheqa këtë shkollë për njëzet vjet. Tani, kjo klasë, këto gra dhe ky mjedis po më bëjnë të ndjej të kaluarën – sikur kur isha një grua normale e martuar me një punë të rregullt dhe ëndrra të mëdha ”.

Përveç aktivitetit të thurjes, këto gra marrin gjithashtu këshillime individuale dhe terapi grupore. Ato gjejnë mënyra të ndryshme për të thënë faleminderit dhe për të treguar mirënjohje për të, por thurja i ndihmoi të gjenin një dimension krejt të ri. “Në momentin e parë kur mora krabëzat në duar, e dija që më në fund kam shansin të krijoj një DHURAT si faleminderit. Ka shumë kohë që unë po jetoj në qendrën e azilit dhe mbështetja juaj është bërë e vetmja shpresë me të cilën jetoj. Çdo sesion apo aktivitet i mbaruar, kisha këtë ndjenjë zhgënjyese se nuk kisha asgjë për të dhënë, si një simbol falënderimi. Për fat të mirë, ky aktivitet më lejoi të thurni këto çorape të bukura, ku më në fund mund t’i bëj dhuratë dhe të tregoj se sa mirënjohëse jam për mbështetjen që marr çdo ditë – më në fund mund të ndiej pak paqe me vetën “– tha Yasmin.

Të thuresh me krabëza apo të kriojosh rrobava të reja –  mund të tingëllojë vetëm si një metodë për të kaluar kohë të lirë, mirëpo për këto gra ishte një arsye për të dëgjuar, qeshur, përqafuar… ishte vet shtëpia! Në të vërtetë, në kohën reale të këtyre grave – thurja u bë kuptimi i jetës së tyre të përditshme. Jo vetëm për hir të fijeve të nxjerura ose qepjeve, por për ndjenjën humane që përjetohet kur krijon një DHURAT!

 

Shkruar nga: Malisa Zymberi – Psikologe, QKRMT

Foto: Liv Hentze

 

 

admin